Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, flet një ditë pas publikimeve të reja të audio-përgjimeve për dosjen “339”. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Vangjush Dako mohoi publikisht që në telefonatën e përgjuar, personi me të cilin bisedon është Astrit Avdyli. Ai tha se bëhet fjalë për një person tjetër, të cilin refuzoi që ta emëronte.

“Vetë flet, vetë po përgjigjesh, si Astrit Avdyli. Unë nuk jam duke folur me Astrit Avdylin aty. Gjeje ti me kë jam duke folur. Me Astrit Avdylin nuk jam duke folur, këta ta sfidoj këtu. Nëse është e vërtetë që unë jam duke folur me Astrit Avdylin… kaq di të them. Kjo tregon që një mendje e hollë e ka manipuluar për të krijuar lidhjen me 5 telefonatat e tjera. Pra futet Astrit Avdyli, tek të 5-ta është Astrit Avdyli, tek e 6-ta me mua nuk është Astrit Avdyli. Jam duke folur me person tjetër, nuk ta them personin”, u shpreh Vangjush Dako.

Por gazetari Blendi Fevziu ndërhyri, duke thënë se personi që është vënë në përgjim nga Prokuroria është Astrit Avdyli. Sërish kryebashkiaku Vangjush Dako mohoi që personi me të cilin komunikon të jetë Astrit Avdyli, duke u shprehur se “mund të ketë gabuar Prokuroria”.

Blendi Fevziu: Kur shkuat në Prokurori ju pyetën për këtë telefonatë?

Vangjush Dako: Në Prokurori kam dhënë shpjegimet e mia për 5 orë dhe nuk më kanë pyetur me detaje për telefonatat, por me rrënjë e dhëmballë për të gjitha ato që më kanë kërkuar dhe nuk janë marrë me detaje. Kanë ushtruar kontroll, kanë sekuestruar dosje të gjithë bashkisë, që lidhen me aktivitetin e bashkisë në raport me këta dhe janë duke vazhduar hetimet.

Blendi Fevziu: Prokuroria po bën një hetim penal, por ka edhe përgjegjësi morale?

Vangjush Dako: A jemi duke folur për një temë? Mbarojmë këtë dhe vazhdojmë më pas.

Blendi Fevziu: Më thatë s’është Astrit Avdyli, por Prokuroria e ka identifikuar si Astrit Avdyli.

Vangjush Dako: Unë i kam dëgjuar këto nga ju dhe nga mediat nëpërmjet gazetës gjermane. /tvklan.al