Vangjush Dako, kryetari i Bashkisë së Durrësit, rezulton të jetë përgjuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në një bisedë telefonike me një person që në dosjen e organit të akuzës identifikohet si Niçja.

Televizioni Klan ka siguruar një pjesë të bisedës së Dakos, që sipas prokurorisë mban numrin 069 20 99 300 dhe Niçes që mban numrin 89 67 77 65 dhe që ka qenë objekt i përgjimit.

BISEDA 1 –

Niçja: Hë kryetar, hë vllai.

0692099300: Niçe, ku je?

Niçja: Këtu vërdallë…

0692099300: Ku është Astriti?

Niçja: Ka lëviz një çikë.

0692099300: Ku ka lëviz? Jashtë Durrësit?

Niçja: Eh… ça ka? Ka ndonjë gjë?

0692099300: Po jo mo, doja ta takojsha, ta falenderojsha, ta pyesja një çikë.

Niçja: Po, po ku je ti? Të vij të të takoj…

Njësoj është, si ai si unë, e di që jemi një

0692099300: Po mirë mo mirë, por doja ta takoja…kanë pi ato.

Niçja: Po, e di po, kanë lëviz… Me të taku një çikë unë ty!

0692099300: Unë tani jam duke ardh nga… rrugës… rrugës…

Po kush është Nicja, cila është lidhja e Vangjush Dakos me të dhe për çfarë bisedon kryebashkiaku i Durrësit në këtë individ? Në studion e Opinion, kryebashkiaku tha se kishte njohje me këtë person, por gjatë fushatës ai komunikon me shumë qytetarë që e mbështesin në zgjedhje.

Vangjush Dako: “

Niçja është një qytetar i Durrësit nga ky grupi që është kapur, me të cilin kam folur. Astriti është vëllai i Niçes, unë flas me të gjithë durrsakët, të mos e falenderoj tjetrin që më mbështet? Nuk jemi në kohën e Enverit”.

Pjesë e përgjimeve të Prokurorisë është një tjetër bisedë e zhvilluar mes një personi të paindetifikuar dhe Niçes, që kuptohet se është objekti i përgjuar në shumë raste nga organi i akuzës, ashtu si në rastin e telefonatës me kryebashkiakun.

BISEDA 2 – NIÇJA

1-Niçja: Të marr unë se jam me rob pra…

2-Alo, ça po bën?

1-Niçja: Të marr unë se jam me rob të thashë!

2-Ku je? Je andej nga fshatrat, ku ishe?

1-Jo! Jo! Jo!

2-Kam ca me mbiemër Kurti, kam zonjën këtu…

… po deshe…

1-Niçja: ...mirë…

2- 6 veta janë!

1-Niçja: Hajt se të marr unë!

2-Thuaj Vangjushit t’i japim ndonjë lek, që të ..tojnë (nuk kuptohet)!

Për këtë përgjim, Vangjush Dako tha se biseda të tilla në fushatë janë normale, pasi shumë njerëz vetëofrohen për të dhënë votën në këmbim të parave.

Partia Demokratike e ka akuzuar Vangjush Dakon se eshtë lidhur me bandën e trafikut të drogës në Shijak, të cilën, opozita thotë se e ka përdorur për blerje votash.

Tv Klan