Vangjush Dakos i ndalohet hyrja në SHBA


Vangjush Dakos i ndalohet hyrja në SHBA

14:04 30/07/2019

DASH: I përfshirë në afera korruptive

Vangjush Dako dhe familjarët e tij i shtohen listës së zyrtarëve shqiptarë që nuk lejohen të hyjnë në territorin e Shteteve të Bashkuara. Lajmi u bë fillimisht i ditur nga Zëri i Amerikës  dhe u konfirmua më pas nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Në njoftimin e DASH, shkruhet se Sekretari i Shtetit ka vendosur kryebashkiakun në detyrë të Durrësit dhe familjarët e tij të afërt në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara, për shkak të përfshirjes së Dakos në raste të mëdha korrupsioni.

Ligji amerikan, konkretisht ai nr 7031 (c) parashikon që Sekretari i Shtetit mund t’u ndalojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara zyrtarëve të huaj dhe familjarëve të tyre, për të cilët ka informacione të besueshme për përfshirje në raste të mëdha korrupsioni apo shkelje të të drejtave të njeriut. Vetë Dako, i pyetur në Tetor të vitit të kaluar për këtë çështje, tha se ai nuk kishte problem me hyrjen në SHBA.

Krahas emrit të ish-kreut të Bashkisë Durrës Vangjush Dako, në listë janë edhe bashkëshortja e tij Alba dhe fëmijët, Xhulio dhe Kejsi.

Në njoftim thuhet po ashtu se ky vendim i Departamentit të Shtetit është një sinjal i fortë se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për të luftuar korrupsionin në vende të tjera të botës.

Dako bëhet zyrtari i tretë nga Shqipëria të cilëve u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më parë, Sekretari i Shtetit, u ka ndaluar hyrjen edhe ish –kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe deputetit Tom Doshi.

Dako e drejtoi bashkinë e Durrësit për 3 mandate, por në 30 Qershor, në vend të tij Partia Socialiste kandidoi Valbona Sakon. Emri i Dakos u lakua edhe në përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “Bild” si i përshirë në blerjen e votave në Durrës dhe për këtë çështje ai është marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Tv Klan




Të ngjashme