Russian President Vladimir Putin attends a state awards presentation ceremony in the Kremlin in MoscowViti 2013 nuk ishte aspak i favorshëm për të ardhurat e presdentit rus Vladimir Putin. Sipas raportit vjetor mbi të ardhurat e presidentit, të publikuar në faqen online të Kremlinit, fitimet e  Putin vitin e shkuar arrinin në 3.6 milion rubla ose 101 mijë dollarë në vit. Krahasuar me vitin 2012, presidenti rus fitoi 86 mijë dollarë më pak, çka e bën atë një politikan të varfër krahasuar me të tjerët në Rusi. Në deklaratën e tij të pasurisë thuhet se presidenti rus jeton në një apartament 77 metra katrorë, ka një tokë në pronësi, një garazh dhe 3 automjete. Sipas të dhënave të publikuara në mediat ruse, edhe kryeministri Dimitri Medvedjev pati më tepër të ardhura gjatë vitit 2013 se presidenti Putin, fitime që përllogariten 119 288 dollarë.

Një prej shpjegimeve që jep Washington Post mbi këtë rënie të të ardhurave të Putin është se për vitin 2013, ai nuk përfitoi kompensim për dietat e papërdorura, ashtu si në vitin pararendës. Gjithashtu ndarja me bashkëshorten e tij Ljudmilla i ka hequr një pjesë të mirë të të ardhurave.

Për të ardhurat vjetore krahasuar me udhëheqësit botërorë, presidenti rus renditet gjithashtu në vendet e fundit. Homologu i tij amerikan, Barak Obama pati 400 mijë dollarë të ardhura në vitin 2013. Megjithatë, Putin nuk është edhe aq i varfër, pasi pasuria e tij shtohet me ritme galopante, në një mënyrë që mediat nuk arrijnë ta kuptojnë se si. Nëse pasuria e presidentit amerikan Barak Obama përllogaritej mes 2.8 deri në 11.8 milion dollarë në vitin 2010, portali i byrosë së gazetarisë investigative në internet shkruan se në 2007, Putin kishte një pasuri prej 40 miliard dollarësh. Ndërsa në 2012, kjo pasuri ishte pothuajse dyfishuar, në 70 miliardë dollarë. Këtu përfshihen pasuri të luajtëshme e të paluajtëshme, të cilat mbahen të fshehta prej tij. Për këtë arsye në portalin online, hidhen dyshime se ai mund të jetë një prej njerëzve më të pasur të planetit.