Roth: Dështimi i negociatave, gabim serioz politik

Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varheli u shpreh i zhgënjyer për moshapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nga ministrat e Jashtëm të Këshillit Evropian, ndërkohë që ministri gjerman për Evropën, Michael Roth e konsideron “gabim të rëndë politik”.

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi shprehet i zhgënjyer nga fakti që nuk u hapën negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

I zhgënjyer që nuk mundëm të lëviznim përpara me kornizën e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë, por unë shpresoj që në një periudhë të shkurtër kohore të mund të jemi në gjendje.

Ne na duhet të thyejmë bllokimin shpejt. Kjo është shumë e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor dhe për Evropën” është shprehur Varhelyi.

Ndërkohë më herët, ministri gjerman për Evropën Michael Roth e quajti “gabim të rëndë politik” mundësinë e moshapjes së negociatave për dy vendet.

Si drejtues të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, po bëjmë të gjitha që janë në mundësinë tonë që mundësisht sa më shpejt, të arrijmë unitet për organizimin e konferencave ndërqeveritare për anëtarësimin e Maqedonisë e Veriut, e pas plotësimit të pak kushteve të mbetura edhe me Shqipërinë. Gjithçka tjetër veç kësaj do të ishte një gabim tepër i rëndë politik, që do të cenonte stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, e kjo do të cenonte në mënyrë masive edhe sigurinë në Evropë”, thotë Roth.

Sipas ministrit gjerman, vendi i të cilit këtë muaj përmbyll presidencën 6 mujore të Këshillit të Bashkimit Evropian, nuk po arrihet të përparohet në çështje për të cilat vendet anëtare kishin rënë më parë dakord.

Vendimi për të miratuar kornizën negociuese të BE-së për Maqedoninë e Veriut është bllokuar nga Bullgaria, që kërkon që disa çështje bilaterale me Maqedoninë e Veriut, që lidhen me identitetin dhe gjuhën, të jenë pjesë e kësaj kornize. Disa diplomatë evropianë janë kundër çfarëdo shqyrtimi të vendimit vetëm për Shqipërinë, nëse nuk kalon vendimi për Maqedoninë e Veriut.

Dy vendet kanë statusin e kandidatit dhe tashmë ato janë në prag të hapjes së negociatave të anëtarësimit, por fillimisht BE duhet të miratojë kornizën negociuese me dakordësinë e të gjitha shteteve anëtare.

Tv Klan