Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi, është shprehur i zhgënjyer me mos marrjen e vendimit pozitiv për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas komisionerit, fatkeqësisht nuk u arrit konsensusi në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm edhe pse presidenca portugeze vuri në tryezë disa zgjidhje për Shkupin e Sofjen.

“Jemi në fazën finale të këtij procesi ndaj na duhet të shtojmë përpjekjet që të mund të arrijmë sukses gjatë presidencës sllovene. Na duhet të shkojmë përpara me të dy shtetet Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të cilat i kanë realizuar reformat që ju kërkuan për mbajtjen e konferencave të para ndërqeveritare”.

Ndërkaq Mali i Zi dhe Serbia kanë mbajtur Konferencat e Para Ndërqeveritare pas miratimit të metodologjisë së re të zgjerimit.

Mali i Zi synon anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian përpara fundit të vitit 2024, deklaroi kryeministri Zdravko Krivokapiç pas konferencës së radhës ndërqeveritare.

Sipas Krivokapiç, qeveria malazeze dëshiron ta zvogëlojë korrupsionin në zero dhe që të mos ketë më krim të organizuar ndërkombëtar. Negociatat me Malin e Zi kanë nisur me 29 Qershor të vitit 2012 ndërsa deri tani janë përmbyllur vetëm katër kapituj nga 33 kapituj gjithsej.

Nga ana tjetër Serbia synon që të përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2024, që do t’i mundësonte asaj që të anëtarësohet në BE deri në vitin 2025.

Klan News