Basha: Opozita, e angazhuar për një marrëveshje

Angazhimit të ndërkombëtarëve për një marrëveshje për Reformën Zgjedhore në Shqipëri i është bashkuar edhe vetë Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi. Në një koment në rrjetet sociale, ai inkurajon të gjitha palët të gjejnë gjuhën e përbashkët.

“Reforma Zgjedhore në Shqipëri, unë i inkurajoj të gjitha palët, brenda dhe jashtë parlamentit, që të vazhdojnë akoma të provojnë dhe të arrijnë një marrëveshje. Kjo është një reformë e rëndësishme që duhet të arrihet dhe do të ishte për të ardhur keq nëse do të humbej momenti. Shpresoj për një marrëveshje. Kjo është thelbësore”.

Pas kësaj deklarate në Bruksel ka reaguar në Tiranë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që deklaron gatishmërinë e opozitës për të përmbyllur procesin.

“Opozita është plotësisht e angazhuar dhe po kontribuon për ta përmbyllur reformën me garanci të mjaftueshme për një proces të ndershëm zgjedhor. Kjo është e rëndësishme për të rikthyer besimin e shqiptarëve tek demokracia pas manipulimeve të rënda zgjedhore dhe skandaleve të blerjes së votave në zgjedhjet e shkuara dhe po kaq përcaktuese për përmbushjen e një prej kritereve të rëndësishme nga 15 kushtet për integrimin europian të Shqipërisë”.

Basha vlerësoi përkushtimin e komisionarit Varhelyi për konsensus të të gjitha forcave politike për reformën elektorale në Shqipëri.

Tv Klan