“Të furnizohet sa më shpejt me vaksina”

Kritikat po japin efekt. Komisioneri Europian për Zgjerimin, Oliver Varheji i bën thirrje Brukselit të mundësojë sa më shpejt furnizimin me vaksina për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Përmes një postimi në Twitter, Varheji tha se shqetësimin e vendeve të Ballkanit për të siguruar një qasje sa më të shpejtë për vaksinat ua kishte shprehur edhe ministrave të Jashtëm të BE-së në mbledhjen e Këshillit Europian, zhvilluar të hënën në Bruksel.

Pas kritikave se BE e ka lënë pas dore rajonin, Komisionerit iu desh të nënvizojë se Unioni u qëndron pranë partnerëve jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe atyre të lindjes së kontinentit.

Mësohet se në këtë takim u përsërit synimi i BE-së që “sa më parë” të sigurojë një sasi vaksinash edhe për Ballkanin Perëndimor, të cilat mund të ndaheshin nga sasia që u dedikohet vendeve anëtare. Problem është ngritur vonesa e furnizimit të vendeve me vaksina nga kompanitë prodhuese.

Kritika për shpërndarjen e vaksinave pa dallime bëri edhe kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Tani ato po gjejnë jehonë edhe në opinionin publik në Europë. Shumë analistë thonë se vendet e pasura duhet të ndihmojnë nismën COVAX me doza vaksinash dhe me fonde.

Sipas tyre, globi ndodhet në prag të dështimit të një testi jetik, që shërben si matës nëse bashkësia ndërkombëtare e ka apo jo aftësinë për t’i dhënë fund një pandemie globale pa lënë askënd prapa e pa bërë dallime mes të fuqishmëve dhe të pafuqishmëve.

Tv Klan