Janë 28 raste riinfektimi me Covid-19 sipas ekspertëve në Shqipëri. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tregoi këtë të enjte se cili quhet rast infektimi pasi sipas saj ka disa kritere që një person të quhet i tillë.

“Kemi disa të dhëna riinfektimesh. Ka një kriter se çfarë quhet një riinfektim. Rrinfektim quhet ai rast, i cili infektohet 3 muaj pasi është konfirmuar njëherë pozitiv, është konfirmuar negativ me tampon dhe riinfektohet sërish, por përgjatë periudhës së shërimit nuk ka manifestuar shenja të sëmundjes ose post Covid. Ne në Shqipëri deri më tani në rastet e konstatuara nga ekspertët kemi 28 raste”, tha ministrja.

Ditën e sotme në vendin tonë u konfirmua nga Komiteti Teknik i Ekspertëve varianti britanik i Covid-19. Ministrja Manastirliu tha se mutacioni ka një agresivitet të shtuar.  

“Duhet të kuptojmë që jo vetëm që rastet janë shtuar, transmetureshmëria është rritur, por duhet të kuptojmë që varianti i ri ka një agresivitet të shtuar sa i përket sëmundjes. Ka disa indikatorë”, tha Manastirliu./tvklan.al