Varianti jugafrikan i virusit në RMV?



Varianti jugafrikan i virusit në RMV?

17:44 03/03/2021

Priten përgjigjet e analizave për një të moshuar

Një 65-vjeçar nga Manastiri, i cili së bashku me bashkëshorten ka qëndruar në Zanzibar të Afrikës, ka rezultuar pozitiv me Covid-19 dhe nga e Hëna është shtruar në Spitalin për Nefrologji të Strugës me dëmtime në veshkë, kurse bashkëshortja është e hospitalizuar në Shkup. Raportohet se simptomat i janë shfaqur dy ditë para se të kthehet në Maqedoninë e Veriut.

Ende nuk kanë përfunduar analizat nga Laboratori i Akademisë Maqedonase e Shkencave që duhet të konfirmojnë ose të mohojnë nëse bëhet fjalë për llojin jugafrikan të koronavirusit. Njoftohet se pacienti është në gjendje stabile.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se Komisioni për Sëmundje Ngjitëse do të propozojë karantinim të detyrueshëm 14 ditor për personat që vijnë nga vendet afrikane. Deri në këtë moment, siç thuhet në njoftimin e MSH-së, nuk është detektuar prania e virusit jugafrikan.

Ministria e Shëndetësisë dhe Komisioni për Sëmundje Ngjitëse konform situatës aktuale epidemiologjike dhe analizave të ISHP-së, nuk e përjashtojnë mundësinë e miratimit të masave dhe rekomandimeve të reja me qëllim të parandalimit të përhapjes së Covid-19.

Ndryshe, njoftohet se ka pasur interesim jashtëzakonisht të madh për udhëtime në Zanzibar-Afrikë. Agjencitë turistike kanë ofruar aranzhmane prej 11 ditëve, me çmim rreth 1.000 euro. Për turistët nga Maqedonia e Veriut nuk është kërkuar testi negativ për Covid-19.

Për festat e 8 Marsit dhe ekskursionet në Dubai, agjencitë njoftojnë se është i nevojshëm testi negativ që është 2.600 denarë, duke shtuar se nuk mungon interesimi edhe për këtë destinacion.

Kujtojmë se gjatë 8 Marsit të vitit të kaluar, ekskursionet që ishin organizuar në Itali prodhuan një numër të madh të infektimeve me Covid-19.

Tv Klan







Të ngjashme