Autoritetet shëndetësore në Kolumbi janë të shqetësuara për shkak të variantit të ri të koronavirusit të quajtur ‘Mu’. Varianti i ri tashmë përbën një pjesë të konsiderueshmë të rasteve pozitive në vend. Varianti i ri tepër ngjitës po gjen përhapje dhe në botë.

Varianti i ri i koronavirusit i quajtur ‘Mu’ është përhapur në 43 vende duke u kthyer kështu në një kërcënim jo vetëm për autoritetet shëndetësore në Kolumbi, por edhe në botë.

Varianti i ri është mbizotërues në këtë vend, atje ku edhe është identifikuar për herë të parë. Afërsisht 39 përqind e rasteve të konfirmuara në vend janë të lidhura me variantin e ri.

I njohur edhe si varianti B.1.621 ai tani është listuar si një nga pesë variantet me interes studimi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Varianti ka mutacione që tregojnë një rrezik të rezistencës ndaj vaksinave, por kërkohen studime të mëtejshme për ta kuptuar më mirë atë.

Sipas OBSH-së, rastet me variantin Mu kanë qenë në rënie qëkur ai u zbulua fillimisht, por në Kolumbi dhe në Ekuador ka patur një tendencë në rritje.

Ai përbën më pak se 0.1 përqind të të gjitha infeksioneve globale, por shpërthime të B.1.621 janë raportuar gjithashtu në pjesë të SHBA-së dhe Evropës.

Ndërkohë varianti Mu ka mbërritur edhe tek fqinjët. Në Greqi janë konfirmuar edhe rastet e para me variantin e ri të koronavirusit. Mediat vendase raportojnë se gjashtë persona kanë rezultuar pozitivë.

Klan News