Edhe pse jo në shifra alarmante, gjatë kësaj periudhe mesatarisht 1 në 10 fëmijë rezulton me variçelë apo siç njihet ndryshe me linë e dhenve. Sipas mjekes pediatre Sonila Brati kjo problematikë ndeshet kryesisht tek moshat e vogla.

“Në periudhën e 6 mujorit të parë ne kishim shumë raste me variçelë, ndërsa tani më pak. 1 në 10 fëmijë është rasti që preken. Shpesh herë ka raste që duken si variçelë, ndërkohë që nuk mund të jetë”, është shprehur mjekja pediatre Sonila Brati.

Specialistët theksojnë se variçela kalohet më lehtë në moshë të vogël, pasi kur fëmija është më i rritur shfaq më tepër komplikacione.

“Më mirë të kalojë në fëmijëri sesa në një moshë pak më të rritur sepse shpesh herë mund të ketë komplikime dhe mund të ketë problematika. Është një patologji e cila fillon me temperaturë, fillon me shfaqjen e elementeve tek fëmijët që nga pjesa e kokës e pastaj thuajse në tërë trupin. Është një patologji e cila në të shumtën e rasteve kalon pa mjekim me antibiotik”, ka thënë Brati.

Ka edhe raste kur nga kjo sëmundje, fëmija ka nevojë për trajtim më të specializuar.

“Vetë variçela bën komplikacionet e saj në format e bronkopneumonisë edhe fëmijëve ndonjëherë iu duhet të shtrohen apo të spitalizohen për shkak të këtyre problemeve që mund të kenë”, ka përfunduar mjekja pediatre Brati.

Mjekët pediatër rekomandojnë se kur fëmijët janë me variçelë nuk duhet të dërgohen në kopsht apo shkollë, në mënyrë që mos ta përcjellin infeksionin tek bashkëmoshatarët e tyre.

Klan News