Një vatër e rrezikshme zjarri është shfaqur në Bashkinë Gjirokastër në Njësinë Administrative Lunxhëri-Antigone. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, thotë se si pasojë e erës situata është agravuar dhe zjarri është pranë banesave.

Po ashtu ai i bën thirrje banorëve që të jenë bashkëpunues me strukturat shtetërore dhe të zbatojnë urdhrin e evakuimit.

“Në Bashkinë Gjirokastër, është shfaqur një tjetër vatër zjarri e rrezikshme në Njësinë Administrative Lunxhëri – Antigone, ku si pasojë e erës situata është agravuar dhe zjarri është shumë pranë banesave. Në vendngjarje po punojnë strukturat e mbrojtjes civile. Gjithashtu ne mbështetje kanë shkuar edhe Forcat e Armatosura. U bëjmë thirrje banorëve të jenë bashkëpunues me strukturat shtetërore për të zbatuar urdhrin e evakuimit”, shkruan Peleshi.

Më herët, ministrit njoftoi normalizimin e situatës së zjarreve në Vlorë ku tha se është drejt vënies nën kontroll gjendja në fshatin Delisuf në Karaburun dhe është reduktuar vatra në Dukat. Përmirësimi i situatës sipas Peleshit ka eliminuar rrezikun që nga flakët të përfshiheshin banesat e fshatit Dukat. Ndërkohë vatër zjarri ka patur edhe në Vaun e Dejës në Shkodër./tvklan.al