Mbështetje për familjet që mbetën pa strehë nga tërmeti

Papa Francesku flet serish për Shqipërinë, pas lutjes së të mërkurës drejtuar popullit shqiptar. Ati i Shenjtë ka vendosur që Vatikani të dhurojë 100 mijë euro, si shenjë mbështetje për familjet e dëmtura nga tërmeti.

100 mijë Euro është kontributi që Papa Françesku dhe selia e shenjtë e Kishës Katolike jep për familjet e dëmtuara nga tërmeti i fuqishëm i të martës. Sipas portalit informativ Vatikan News, bëhet fjalë për një kontribut fillestar që do të dërgohet në Shqipëri përmes dikasterit për Shërbimin dhe Zhvillimin Human në Vatikan.

Përmes këtij kontributi, Ati i Shenjtë kërkon të shprehë mbështetjen dhe afrimitetin shpirtëror ndaj njerëzve dhe zonave të dëmtuara nga lëkundjet e forta. Shuma do t’u shkojë dioqezave katolike të atyre zonave për t’u përdorur në ndihmë të të dëmtuarve.

Të mërkurën, kreu i kishës katolike bëri një lutje të veçantë për viktimat e tërmetit, duke shprehur po ashtu mbështetjen për personat e dëmtuar dhe për gjithë popullin shqiptar, duke kujtuar edhe vizitën në vendin tonë dhe pritjen e ngrohtë që i dhuruan shqiptarët.

Caritasi Italian, organizata e bamirësisë së peshkopëve të vendit fqinj ka shprehur gatishmërinë për të ofruar ndihmën e saj në emergjencën aktuale në bashkëpunim edhe me Caritas Albania qe u aktivizua me rrjetin e saj dioqezan menjëherë pas tërmetit për të ofruar ndihma në qendrat e pritjes të ngritura nga Ministria e Brendshme.

Tv Klan