Kjo është e para foto e Papa Françeskut, që Vatikani ka publikuar prej më shumë se një muaji, që kur se ai nisi të kurohet në spital në Romë pas një infeksioni të dyfishtë në mushkëri.
Fotoja është kapur nga pas, teksa kreu i Vatikanit kryen rituale të meshës së shenjtë të së dielës në faltoren e spitalit Xhemeli. Fytyra nuk i dallohet qartë, por të dukshme janë shenjat e lodhjes nga sëmundja.
Selia e shenjtë njoftoi se shëndeti i Papës po përmirësohet gradualisht. Ati i shenjtë po përdor gjithnjë e më pak ajrosje mekanike gjatë natës, si ndihmë për frymëmarrjen gjatë gjumit.
Lajmi u prit me optimizëm nga besimtarë në gjithë botën. Para spitalit, ku ai kurohet nuk kanë munguar asnjë ditë besimtarët që presin lajme prej tij. Shumë prej tyre thonë se janë lutur çdo ditë që ai të rikthehet në krye të punëve të kishës katolike.
Mijëra besimtarë morën pjesë edhe në një meshë në vendlindjen e tij Buenos Aires, ku shprehën gëzim dhe u lutën për përmirësimin e shëndetit të tij.
Tv Klan