Papa Françesku ndërroi jetë nga goditja ishemike që bëri që zemra e tij të reshte së punuari. Ky është shkaku zyrtar i vdekjes së kreut të Vatikanit, që u bë i ditur nga selia e shenjtë mbrëmjen e kësaj të hëne.

Besimtarët katolikë në Vatikan dhe kudo në botë u dyndën nëpër kisha e për të ndezur qirinj dhe për t’u lutur për Papa Françeskun. Ati i Shenjtë ndërroi jetë mëngjesin e kësaj të hëne në orën 7:35, një ditë pas Pashkës.

88-vjeçari vuante edhe nga pasojat e pneumonisë së dyfishtë. Ai u shtrua për kurim në spitalin prestigjioz Gemeli të Romës më 14 Shkurt ku qëndroi për 5 javë deri kur shfaqi shenja përmirësimi.

Prej 23 Marsit kur la spitalin, kreu i Vatikanit dukej në rrugë të mbarë kurimi, ndonëse në daljet e tij publike shfaqte shenja të një shëndeti të dobët, ndërsa në javën e tij të fundit të jetës, atë të Pashkës, mjekët e panë të arsyeshme t’i hiqnin edhe tubat e oksigjenit që i ndihmonin frymëmarrjen.

Pavarësisht vështirësive shëndetësore, Ati i Shenjtë këmbënguli deri në ditën e fundit ta ushtronte deri në fund misionin e tij si prijës i besimtarëve të krishterë katolikë të mbarë botës.

Në dy të dielat e fundit, atë të dafinave dhe më pas të Pashkës, Papa nuk mungoi në meshë në sheshin Shën Pjetër të Vatikanit e në karrige me rrota zbriti për të përshëndetur besimtarët e pranishëm, madje në ditën e tij të fundit zhvilloi vizitë private në rezidencën e tij edhe zv/Presidentin amerikan JD Vance.

Tv Klan