Betejë me flakët nga toka dhe ajri

Ditën nuk ishin të vetëm… por ushtria dhe zjarrfikësit u larguan para se të bie terri, e më pas, banorët e Raoviçit mbeten të vetëm, derisa zjarri po merrte hov, e era po bëhej gjithnjë e më e fuqishme.

Banorëve nuk iu mbeti gjë, përpos të presin, sepse kërkuan ndihmë prej institucioneve, e ata u thanë se u kanë lënë fshesa që ta luftojnë zjarrin në rast se përhapet.

“Asnjë gjë nuk kanë lënë këta këtu… Ata pritojnë të vijnë këtu lartë se tani është natë dhe frikësohen se rrezikojnë vetën a këtu rrezikohet krejt katundi. Edhe 50 metra depërton në katund. Edhe 50 metra tu ra në katund është, mos e zini si shaka këtë punë se nuk ka çka të mbrohet ky fshat”.

Më në fund, pas shumë tentimeve, Komuna e Sarajit dërgoi një cisternë me ujë, e stacioni i zjarrfikësve Gjorçe Petrov, dërgoi 2 ekipe tjera.

Kështu u parandalua që zjarri të kap shtëpitë e para. E që në mëngjes vazhdoi shuarja nga ajri. Zjarri mbi fshatin Raoviç, dalë ngadalë po shuhet, e armata ka kaluar shumë orë në ajër duke luftuar zjarret nga momenti kur vendi u ndesh me këtë dukuri.

“Deri më sot në mëngjes kemi bërë 31 fluturime, më shumë 300 fluturime mbi vatrat e zjarrit dhe kemi hedhur mbi 600 tonelata ujë”.

Ekipi i aviacionit ushtarak pa ndalë po punon për 11 ditë dhe kanë asistuar në shuarjen e zjarreve në Çashkë, Likovë, Makedonski Brod, Koçan, Gjevgjeli, Staro Nagoriçane, Berovo, Pehçevë dhe Kumanovë. Ata janë të ngarkuar edhe për koordinimin e aksioneve me kolegët serb dhe me “Herkulesin” e Rumanisë.

Klan Macedonia