Epidemiologët: Të prekurit më shumë tek Astiri, Fresku, Kodra e Diellit

Tre janë zonat më shqetësuese në Tiranë për koronavirusin, në zonën e Astirit, tek Fresku dhe tek Kodra e Diellit. Epidemiologët, që janë prej 5 muajsh në terren, pohojnë se rastet e konfirmuara janë përqendruar kryesisht në periferi të kryeqytetit.

Shkaqet e përhapjes së koronavirusit mbeten të njëjtat aktivitete, për të cilat mjekët paralajmërojnë prej muajsh se duhen evituar grumbullimet në festa, dasma apo ceremonitë mortore.

Linjat e transmetimit të infeksionit janë dy sipas epidemiologeve të terrenit, ajo familjare dhe ajo e punës.

Ministrja e Shëndetësisë tha se sistemit shëndetësor do t’i shtohen 300 mjekë, infermierë, teknikë, në përgjigje të planit dhe strategjisë afatmesme ndaj situatës së shkaktuar nga Covid-19.

“Vendimi i qeverisë ka alokuar 300 punonjës të dedikuar për spitalet që priten të hapen, por edhe për planin tonë afatmesëm në kuadër të përgjigjes të situatës të shkaktuar nga Covid-19. 300 punonjës do të jenë mjekë, teknikë apo infermierë, që do t’i përgjigjen nevojave të spitaleve Covid apo nevojave të tjera që ka sistemi shëndetësor“, tha Manastirliu.

Takimi është mbyllur me një thirrje kryesisht për të rinjtë, që të tregohen më të kujdesshëm, pasi me grumbullimet në bare, klube apo festa, bëhen shkak të transmetimit të infeksionit, duke vënë në rrezik në radhë të parë familjarët e tyre më të moshuar.

Tv Klan