Për të dytën ditë me radhë, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani po takohet me përfaqësuesit e partive të përfaqësuara në kuvend, për të diskutuar për datën e zgjedhjeve të reja.

Të mërkurën, përfaqësuesi i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala kërkoi që data e zgjedhjeve të caktohet pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Qeverinë e Kosovës.

“Në të gjitha parashikimet, fillimi i shkurtit do të ishte data ideale për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme për Parlamentin e Republikës së Kosovës”, tha Shala.

Ai shtoi se organet e partisë janë duke diskutuar lidhur me formën se si do të garojnë në zgjedhjet e reja.

“Qëndrimi i udhëheqjes së shumicës së Nismës është që Nisma të garojë e vetme në zgjedhje, por pas caktimit të datës së zgjedhjeve, atëherë organet drejtuese të Nismës do të vendosin edhe për mundësinë e ndonjë koalicioni edhe me ndonjë subjekt tjetër politik”, u shpreh Shala.

Takimet konsultative të Osmanit, vijnë pasi më 21 dhjetor, Gjykata Kushtetuese tha se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese.

Kjo për shkak të votës së deputetit Etem Arifit, i cili, më 3 qershor votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”, prej një vit e tre muaj burgim. Ai aktualisht është në vuajtje të dënimit.

Rrjedhimisht, gjykata konstatoi se “presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre”.

Osmani ka pritur në takim edhe përfaqësuesin e Aleancës Kosova e Re, Jetlir Zyberaj, i cili tha se ka kërkuar që zgjedhjet të mbahen sa më shpejtë “në mënyrë që edhe krizat e mundshme kushtetuese të evitohen”.

“Unë besoj se pas marrjes së aktgjykimit, besoj në dy ditët e ardhshme do të caktohet një datë në fund të janarit apo fillim të shkurtit”, tha Zyberaj.

Opsioni më i mundshëm për AKR-në, sipas Zyberajt, është që në zgjedhjet e ardhshme të garojë si pjesë e një koalicioni “me një nga partitë më të mëdha”.

Përfaqësuesit e partive joserbe, që bëjnë pjesë në koalicionin e quajtur Grupi 6+, pas takimit me Osmanin, thanë se janë të gatshëm për zgjedhje, kurdo që të mbahen ato.

“Edhe ne jemi pajtuar dhe jemi darkorduar që kur të caktohet data e zgjedhjeve, jemi të gatshëm të garojmë, të hyjmë në garë”, tha Fikrim Damka dhe shtoi se ata nuk do të bëhen pjesë e koalicioneve parazgjedhore, pasi si komunitete joshumicë, i kanë të garantuara vendet në kuvend.

Të mërkurën, Osmani pritet të takohet edhe me përfaqësuesit e Listës Serbe./REL