Autoritetet në shtetin perëndimor të Kalifornisë thanë se ishin në gjendje të përcaktonin vendndodhjen e rreth 300 njerëzve të tjerë, pas zjarrit të madh që përfshiu qytetin e tyre Paradise, më vdekjeprurësi në historinë e këtij shteti.

Megjithatë, edhe pse ka kaluar një javë pas fillimit të zjarrit rreth 1,000 njerëz ende figurojnë të zhdukur, ndërkohë që ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë nëpër rrënojat e ndërtesave të djegura dhe të përpiqen të kontaktojnë personat që raportohen të zhdukur.

Numri zyrtar i vdekjeve u rrit dje në 77. Zyrtarët thanë se autoritetet kanë identifikuar 67 prej tyre. Zjarri vazhdon dhe zjarrfikësit deri tani kanë vënë nën kontroll 65 për qind të tij./VOA