Forcat pushtuese ruse kanë kryer dhjetra sulme në rajonet lindore të Ukrainës, teksa ushtria e Kievit ka raportuar se forcat ukrainase kanë zmbrapsur 60 sulme gjatë ditës së kaluar.

Në deklaratën e lëshuar në mëngjesin e 8 Prillit, Shtabi i Përgjithshëm ukrainas tha se ushtria ruse ka vazhduar të shënjestrojë lindjen e Ukrainës, me fokus në qytetet e Limanit, Bahmutit, Avdijivkës dhe Marinkës, që gjenden në rajonin e Donjeckut.

“Gjatë 24 orëve të kaluara, armiku ka lëshuar dy raketa dhe 35 sulme ajrore dhe ka kryer mbi 40 sulme me raketahedhës”, tha ushtria e Ukrainës.

Ushtria ukrainase tha po ashtu se forcat pushtuese ruse në rajonet e Zaporizhjës dhe Hersonit po bëjnë përgatitje për atë që Kievi e quan evakuim të civilëve për në Krimenë e pushtuar nga Rusia.

Presidenti rus, Vladimir Putin, që po përballet me një urdhëarrestim nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, ka urdhëruar ushtrinë e tij që të marrë kontrollin e plotë të Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhjës dhe Hersonit, zona që Rusia pretendon se ka aneksuar paligjshëm. Ukraina ka sinjalizuar se shumë shpejt do të nisë një kundërofensivë për të rimarrë më shumë territor të humbur.

Sulmet e reja vijnë në mes të raportimeve se forcat pushtuese ruse kanë bërë përparim në Bahmut. Më 7 prill, zyrtarët ushtarakë britanikë thanë se forcat ruse ka të ngjarë që janë futur në qendrën e qytetit dhe kanë marrë kontrollin e bregut perëndimor të lumit Bahmutka.

Fushata tetëmujore e Rusisë për të marrë Bahmutin dhe rezistenca e Ukrainës, ka çuar në betejën më të gjatë dhe ndoshta më të përgjakshme që kur Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 Shkurt 2022.

Ndërkaq, Ministria britanike e Mbrojtjes tha se përpjekjet e Rusisë për të “dëmtuar seriozisht” infrastrukturën energjetike të Ukrainës “ka të ngjarë që kanë dështuar”.

“Rusia ka kryer sulme që nga Tetori i vitit 2022, por sulmet në shkallë të gjerë kanë qenë të rralla që nga fillimi i marsit 2023”, tha ministria më 8 Prill./REL