Bien në nivelin e Tetorit infektimet ditore në Gjermani

Trendi rënës i shifrave të koronavirusit arriti një tjetër pikë të ulët këtë 24 orësh. Spikat Gjermania, ku këtë të Hënë u shënuan mbi 7 mijë infektime ditore, duke arritur nivelin e Tetorit, kur shifrat e larta të valës së dytë sapo kishin filluar. Në nivelet më të ulëta ishin edhe vdekjet. Për ministrin gjerman të Shëndetësisë, Jens Shpan, shifrat e ulëta të kësaj të Hëne janë shenja e parë e efekteve pozitive të karantinës kombëtare. Virologët e këtij vendi njoftuan zbulimin e një varianti të ri të virusit, për të cilin ende nuk dihen vetitë.

Nivele të ulëta krahasuar me rekordet e javës së kaluar shënoi edhe Britania e Madhe me rreth 38 600 infektime ditore, që arritën në kuotat e ditëve të para të shfaqjes së pasojave të qarkullimit të variantit të ri më ngjitës të koronavirusit në fund të muajit të kaluar.

Më Francë dhe Itali po ashtu infektimet ditore ishin të ulëta. Nga kjo e Hënë, autoritetet italiane lejuan rihapjen e shkollave, por mësimi në klasa do të bëhet në zonat ku nivelet e infektimeve janë të ulëta. Austria ka hyrë në valën e tretë të karantinës kombëtare në përpjekje për t’i mbajtur të ulëta nivelet e infektimit deri në vaksinimin e plotë të popullsisë. Vazhdojnë të reduktohen edhe shifrat e pandemisë në Shtetet e Bashkuara.

Tv Klan