Ukraina_jugVazhdojnë tensionet në rajonet e banuara nga rusët në Ukrainë. Në mjaft qytete janë rregjistruar përplasje mes manifestuesve që mbështesin Kievin ose Moskën.

Tensionet janë të larta në rajonet rusishtfolëse të Ukrainës. Në Donjetsk u regjistruan përplasje mes manifestuesve nga të dyja kampet, pro-ruse dhe pro-Kievit.

Në një rast policia ndërhyri për të larguar një grua, e cila po përpiqej të vendoste flamurin ukrainas në një ndërtesë të administratës rajonale, që ishte hequr nga pro-rusët.

Konfrontime sporadike pati nëpër qytet.

Në Lugansk, përkrahësit e Rusisë vendosën flamurin rus mbi ndërtesën e qeverisë rajonale.

Në Sevastopol, një grup filorus sulmoi pjesëmarrësit në një aktivitet në nderim të 200 vjetorit të poetit Taras Shevçenko. Mediat ndërkombëtare thonë se ata hodhën disa raketa në drejtim të turmave nga një automjet dhe u larguan.

Më herët sekretari amerikan i shtetit Xhon Kerri paralajmëroi ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov, gjatë një bisede telefonike se çdo aneksim i Krimesë do t’i mbyllte rrugën çdo zgjidhjeje diplomatike të krizës ukrainase. Biseda u zhvillua pas të shtënave me të cilat u përballën disa vëzhgues të OSBE-së në Krime, nga forcat ruse. Javën e ardhshme zhvillohet edhe referendumi për për bashkimin e Krimesë me federatën ruse. Autoritetet e reja pro-ruse urdhëruan çarmatosjen dhe dorëzimin e të gjitha trupave ukrainase në gadishull. Megjithatë shumë prej tyre nuk e zbatuan urdhërin.

Në shenjë mbështetjeje për autoritetet e reja të Kievit, presidenti amerikan Barak Obama, ka ftuar në Shtëpinë e Bardhë, kryeministrin e përkohshëm ukrainas, Arseni Jaceniuk.