Policia franceze arrestoi 4 të dyshuar për lidhje me sulmin terrorist të mbrëmjes së të martës në Strasburg. Autoritetet rishikuan bilancin e ngjarjes dhe thanë se 3 persona humbën jetën dhe 13 të tjerë u plagosën, 7 prej të cilëve në gjendje të rëndë. Kërkime intensive po kryen për kapjen e autorit të dyshuar, Chérif Chekkat. Krahas Francës, në kërkim është vënë edhe policia gjermane pas dyshimeve se autori mund të jetë arratisur në Bavari.

Mbrëmjen e së martës, Chekkat hyri në tregun e Krishtlindjes në Strasburg dhe qëlloi drejt njerëzve, ndërsa u përplas edhe me policinë.

Dëshmitarët shpjeguan për mediat franceze kaosin në momentin e ngjarjes.

“Dëgjova shumë të shtëna, mendova fillimisht se ishin kapsolla apo se po sulmojnë ndonjë dyqan. Pashë shumë njerëz që bërtisnin e vraponin, fëmijë që qanin”.

29-vjeçari figuronte në dosjet e anti-terrorit francez si person me prirje radikale. Në banesën e tij, agjentët francezë gjetën lëndë shpërthyese, por jo vetë terroristin. Dyshohet se ai mund të jetë larguar nga Franca tashmë. Në rrugët e Strasburgut zbarkoi edhe ushtria. I gjithë vendi ka kaluar në gjendje emergjence atentatesh, pasi autoritetet i druhen sulmeve të tjera në ditët e festave të fundvitit.

Tv KLan