PD: SPAK të mos heshtë, të zbardhë aferën e mafias së plehrave

Prej pesë ditësh vijon katastrofa mjedisore e shkaktuar nga djegia e mbetjeve në Fier. Çlirimi i gazit të metanit që vjen nga djegia e plastikës është kthyer në një problem serioz për banorët e zonës, të cilët thonë se ndihen të rrezikuar.

Kamionët që punojnë prej 5 ditësh për mbulimin me dhe të këtyre vatrave janë duke e zvogëluar sasinë e ndotjes, por edhe sot tymi të bllokon frymëmarrjen.

Sërish nga vendgrumbullimi i mbetjeve, demokratët vijuan akuzat në adresë të qeverisë, duke i kërkuar drejtësisë të veprojë mbi atë që selia blu e cilëson aferë korruptive të mafias së plehrave, që sipas tyre i ka kushtuar në një vit shqiptarëve nga taksat 20 milionë euro për një incenerator që nuk ekziston.

“Partia Demokratike ka denoncuar në SPAK aferën e inceneratorëve, sot si banorë të këtij qytetit, si familjarë, si prindër i kërkojmë SPAK-ut të veprojë me urgjencë.”

Demokratët i bënë thirrje qeverisë dhe institucioneve të shëndetit publik që të fillojnë menjëherë depistimet në terren për të matur nivelin e ndotjes së ajrit, pasojat në shëndetin e qytetarëve, si dhe angazhimin e strukturave shëndetësore për diagnostikimin dhe trajtimin e komplikacioneve përkatëse.

Tv Klan