Leonardo Bonucci ishte padyshim një prej lojtarëve më të mirë të Italisë mbrëmjen e 11 Korrikut në Wembley. Ai u bë protagonist pasi mundi të shënonte golin e barazimit përballë Anglisë në një finale që i dhuroi të gjitha gola, penallti dhe emocione të forta. Por në fund të ndeshjes, në momentin që Italia u shpall kampione e Europës, mbrojtësi i Juventusit ka bërë disa komente që mund të mos i pëlqejnë shumë tifozëve anglezë.

Fjalinë e famshme, “It is coming home” (Po vjen në shtëpi) të tifozëve anglezë, Bonucci e ktheu ndryshe. “It is coming Rome” (Po vjen në Romë) bërtiti ai para kamerave pasi Donnarumma i priti penalltinë Saka-s. Pas kësaj, mbrojtësi foli sërish kur iu drejtua stendës ku ishte e vendosur kupa. “Duhet që të hani sa më shumë pastashuta”, u shpreh ai duke iu drejtuar tifozëve anglezë.

Më vonë ai ka folur për mediat. “E kemi dëgjuar përditë që nga e mërkura kur fituan ndaj Danimarkës që kupa do të vinte në shtëpi në Londër. Më vjen keq për ta, por kupa do të niset për një udhëtim të këndshëm në Romë. Fitorja është për gjithë tifozët italianë. E kemi thënë prej ditë së parë  që ishte për ta dhe për ne”, tha ai.

Italia vijoi me serinë e ndeshjeve pozitive pasi ka 34 ndeshje pa u mundur. Vetë Bonucci në këtë ndeshje arriti një rekord pasi u bë lojtari me më shumë ndeshje të luajtura për Italinë në një kampionat Europian./tvklan.al