Lulzim Allkushi që montoi pajisjen: E porositi pronari

Lulzim Allkushi i arrestuar nga policia për ngjarjen e rëndë që i mori jetën 17-vjeçarit Antonio Deliaj ka dëshmuar në polici. 43-vjeçari me profesion saldator është shprehur para oficerëve të policisë se montimi i pajisjes që shërbente si ashensor është bërë katër vite me parë. Allkushi deklaroi se gjatë kësaj kohe pronari i lokalit nuk i kishte kërkuar asnjëherë që të kryente kontroll të pajisjes së montuar prej tij.

“Spiro Iliadhi, pronari i lokalit më kontaktoi para 4 vitesh dhe më kërkoi që t’i montoja një pajisje në formë ashensori. Kjo do të shërbente për të ngjitur produktet ushqimore nga kati i parë në të dytin. Montimin e kam bërë në atë kohë dhe prej atëherë nuk më është kërkuar nga pronari që të shkoja ta kontrolloja”.

Pronari i lokalit Spiro Iliadhi vijon të jetë në kërkim nga policia dhe akuzohet për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë dhe punësim të paligjshëm.

Ngjarja ndodhi orët e para të mëngjesit të së Shtunës, teksa kavoja e pajisjes së modifikuar si ashensor u këput. Për ngjarjen ka reaguar edhe Inspektorati Shtetëror i Mbrojtjes së Tregut, ku thuhet se pajisja që pësoi defekt nuk ishte ashensor, por një pajisje e përshtatur për transport mallrash nga subjekti, ndaj edhe më herët nuk ka patur inspektime nga ky institucion.

Klan News