Do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore ajo që do të përcaktojë shkakun e vdekjes së 25-vjeçares shtatzënë, e cila ka ndërruar jetë në maternitetin e Elbasanit. Në një reagim të tijin Spitali i Elbasanit shpreh ngushëllimet e familjarëve për humbjen e 25 vjeçares R. D si dhe bën me dije se e reja ka pësuar komplikacion.

Ajo i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, por nuk ka mundur të mbijetojë, por mjekët kanë arritur që të shpëtojnë fëmijën.

Reagimi :

“Pacientja R. D u paraqit në spital më datë 22.04.2019 në orën 10:25 paradite.Pacientja ka ardhur me urgjencë në spital, me barrë të vonuar 42 – javëshe dhe është futur menjëherë në sallë, ku mjekët asistuan lindjen e fëmijës, i cili erdhi në jetë në orën 11:50.

Foshnja u reanimua dhe gëzon shëndet të mirë. Stafi mjekësor ka dhënë trajtimin maksimal, por nëna e re dyshohet se pësoi komplikacion postoperator  tromboemboli pulmonare, e papajtueshme me jetën.

Aktualisht priten rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore për shkakun e vdekjes së nënës”./tvklan.al