Dwamena u nda nga jeta në fushën e lojës duke bërë atë që më shumë donte, të luante futboll.

I shokuar, Alban Xhihani do të ndalonte komentimin e ndeshjes pasi pa se futbollisti ganez ishte i shtrirë në tokë.

Për emisionin “Opinion” ai tregoi se çfarë ndjeu në ato momente teksa kryente punën e zakonshme në një ndeshje, por kurrë nuk ia priste mendja një tragjedi të tillë.

“Ndeshja mes Egnatias dhe Partizanit do të mbetet për mua një nga ndeshjet më të hidhura, më të trishta. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë. Më ka ndodhur të kishte përplasje, futbollistë të gjakosur, fraktura, por  jo që një futbollist të humbasë jetën aty dhe brenda pak sekondave. Ishte vërtet shumë e trishtë. Më është dashur më shumë se një ditë që të marr veten nga ajo që përjetova nga aty në stadium”, tha Xhihani.


Komentatori dhe gazetari i njohur sportiv konfirmon edhe një herë atë që e thonë të gjithë. Dwamena ishte shumë korrekt, profesionist dhe fetar. Sipas Xhihanit, ai zgjodhi të mos dëgjonte mjekët që i patën sugjeruar largimin nga futbolli, por dëgjoi Zotin lart.

“Unë kam patur mundësi dhe ta intervistoj dy tri herë për ta patur, por edhe për t’u ulur dhe për të folur me të. Ai ishte super profesionist, djalë shumë korrekt dhe siç e thatë edhe ju dhe fetar madje. Në telefonin e tij gjeje aplikacione që lidheshin me besimin, me Biblën dhe shpeshherë edhe në një postim, nga frazat që ai zgjidhte ishin pjesë të Biblës. Insistimi i madh i mjekëve, me gjithë problematikat e mjekëve për ta ndalur për të mos luajtur, ai vendosi në kokën e tij që të luante, ta vazhdonte këtë karrierë në futboll dhe u mbyll në mënyrë tragjike. Po e them edhe një herë tjetër që nuk zgjodhi të dëgjonte mjekët, por që të dëgjonte Zotin lart”, u shpreh Xhihani./tvklan.al