Merren dëshmi dhe sekuestrohen kartelat mjekësore të futbollistit
Prokuroria e Durrësit ka regjistruar një hetim me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” për vdekjen e futbollistit të Egnatias, Rafael Dwamenas të shtunën në fushën e lojës.
Organi i akuzës konfirmoi për Tv Klan se verifikimet po kryhen në këtë drejtim, teksa mbetet në pritje të materialeve për veprimet hetimore që po kryhen nga Policia e Durrësit.
Gjatë këtyre ditëve, agjentët kanë marrë disa dëshmi, përfshirë këtu edhe mjekët që janë kujdesur për 28-vjeçarin si dhe kanë sekuestruar një sërë shkresash dhe rregulloresh për të kuptuar nëse ka pasur shkelje të detyrës.
Trupi i Rafael Dwamenas gjendet ende pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore ku po kryhen veprimet hetimore të kërkuara në kuadër të hetimeve.
Ndërsa klubi i Egnatias ka shtyrë ceremoninë e homazheve e parashikuar për këtë të hënë.
Ngjarja e rëndë në futbollin shqiptar u rëgjistrua në ndeshjen e të shtunës në 11 Nëntor mes Egnatias dhe Partizanit, ndeshje e cila po luhej në Rrogozhinë.
Tv Klan