Ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar për ndarjen nga jeta të deputetit socialist Bashkim Fino.

“Miq, Covid-19 e ndau nga jeta para kohe Bashkim Finon, njërin prej personaliteteve më të spikatura të Partisë Socialiste dhe qeverisjes së vendit. Gjatë këtyre 30 viteve në politike, Bashkimi ka mbajtur detyra të rëndësishme nga kryetar bashkie i qytetit të tij të lindjes Gjirokastrës deri në kryeministër i qeverisë së pajtimit kombëtar në vitin 1997, e cila kishte si detyrë me kryesore përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme, detyre të cilën në vlerësimin tim ai e përmbushi në frymë bashkëpunimi dhe me përgjegjësi.

Pas atyre zgjedhjeve deri sot ai si deputet i PS dhe qeveritar i saj ka kryer detyra të rëndësishme duke qëndruar një zë i moderuar në grupin drejtues ekstremist tëPS.

Duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera familjes Fino për humbjen e pakompensueshme, unë i lutem Zotit që shpirti i Bashkimit të saj të dashur të gjejë paqen e merituar. Amin. sb”.

Bashkim Fino, deputet i Partisë Socialiste dhe ish-kryeministër, ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare për shkak të komplikacioneve nga koronavirusi. Prej më shumë se 1 muaji, Fino ishte infektuar me Covid-19, por nuk e fitoi dot betejën për jetën./tvklan.al