Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar në lidhje me vdekjen në fushë të futbollistit të Rrogozhinës, Raphael Dwamena, duke sqaruar se të gjitha protokollet mjekësore ui zbatuan.

Në një deklaratë për mediat, FSHF bën të ditur se ambulanca brenda stadiumit ka qenë e pajisur me defibrilator dhe të gjitha pajisjet e nevojshme mjekësore, si dhe 2 mjekë.

Futbollistit 28-vjeçar iu dha ndihma e parë që në fushë dhe u dërgua me urgjencë në spital, ku u zbatan protokollet mjekësore.

DEKLARATA E FEDERATËS SHQIPTARE TË FUTBOLLIT:

Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të sqarojë opinion publik në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Rrogozhinë gjatë ndeshjes Egnatia-Partizani, ku futbollisti Raphael Dwamena ra pa ndjenja në fushën e lojës dhe më pas ndërroi jetë.

Në ndeshjen e luajtur në stadiumin e Rrogozhinës është respektuar me rigorozitet rregullorja e garës. Në gatishmëri ka qenë një ambulancë e pajisur me defibrilator dhe të gjitha aparaturat e nevojshme mjekësore si edhe dy doktorë. Futbollistit i është dhënë menjëherë ndihma e shpejtë në fushë dhe është dërguar me urgjencë në spital, ku janë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore.

Mjafton të sjellim në vëmendje disa raste të fundit për të dëshmuar se rregullorja zbatohet në përpikmëri në aspektin mjekësor në çdo rast. Në ndeshjen e dy javëve më parë, Skënderbeu-Egnatia, stafi mjekësor dhe ambulanca kanë ndërhyrë për t’i ardhur në ndihmë një tifozi që kishte probleme shëndetësore, duke i dhënë ndihmën e parë dhe duke e transportuar më pas në spital. Ndeshja është ndërprerë për 15 minuta dhe vetëm pas kthimit të ambulancës në stadium, delegati ka pranuar që loja të rifillojë.

Në ndeshjen Tirana-Laçi të kampionatit të moshave U17 të datës 10.11.2023 është ndërprerë loja në minutën e 25-të për 30 minuta pasi është dëmtuar një lojtar i Tiranës në kokë. Është dashur ndërhyrja e ambulancës për ta transportuar në spital dhe vetëm pas kthimit të ambulancës dhe stafit mjekësor ka vazhduar loja.

Në Kategorinë e Dytë, ndeshja Adriatiku-KKS Albanët e datës 28.10.2023 nuk është zhvilluar, pasi ekipi KKS Albanët nuk kishte mjek.

Në Kategorinë e Parë, ndeshja e datës 6 nëntor mes Tomorrit dhe Burrelit është ndërprerë pasi është dërguar në spital një lojtar i Burrelit pas dëmtimit në kokë dhe më pas sërish ka rifilluar me rikthimin e stafit mjekësorë dhe ambulancës.

FSHF u bën thirrje disa mediave, disa individëve të caktuar dhe opinionit publik për këtë ngjarje të rëndë të mos bëjnë raportime të papërgjegjshme dhe të pabazuara në fakte për të shfrytëzuar këtë tragjedi.

/tvklan.al