Opinion-Ibrahim Rugova nuk ishte vetëm President i Kosovës, ai është quajtur ndryshe edhe lideri shpirtëror, apo edhe “Babai i Pavarësisë”. Vdekja e tij ishte e pritshme që në Shtator të 2006-s, kur sëmundja e tij u evidentua dhe ai vetë i drejtoi apelin e parë popullit. Ai mbylli epokën e tij në prag të negociatave për Pavarësinë e Kosovës, një ëndërr të cilën ai nuk arriti ta shohë.

Për të folur mbi jetën e Rugovës me gjithë dritëhijet e tij, gazetari Blendi Fevziu i kushtoi një puntatë në emisionin “Opinion”.

Ibrahim Rugova ishte një personalitet që shënjoi thellë dhe në mënyrë mbresëlënëse historinë dhe politikën e Kosovës, që prej vitit 1989. Ikona e luftës për Pavarësinë e Kosovës u nda nga jeta në moshën 62-vjeçare, pas një beteje me kancerin në mushkëri.

Rugova doli në pah në jetën politike të Kosovës në vitet 90-të, si lideri i rezistencës shqiptare kundër Serbisë. Vdekja e tij erdhi në prag të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit. Sipas analistëve largimi i tij nga jeta politike kosovare do të komplikonte edhe më shumë negociatat. Lidhur me sëmundjen, ishte vetë Rugova ai që e konfirmoi për popullin kosovar.

Për të diskutuar për rolin në politikë të ish-Presidentit Ibrahim Rugova ishin të ftuar në “Opinion” Milazim Krasniqi, një nga themeluesit e LDK, Migjen Klemendi, botues dhe kryeredaktor i gazetës “Java”, Remzi Lani drejtor i Institutit të Mediave dhe Mero Baze, analist.

“Në mesin e viteve 80-të ishte në ngritje nacionalizmi serb, me ardhjen e Millosheviçit në krye. Klasa politike e atëhershme në Kosovë ishte nën presion dhe kur u bënë ndryshimet kushtetuese në vitin 1989, ajo u dorëzua. Kosova kishte mbetur pa një orjentim dhe pa udhëheqje. Nga ana tjetër kishte një pakënaqësi të madhe të popullit, sepse çdo ditë kishte demostrata, protesta, dhunë dhe kjo ishte periudha kur Rugova si kryetar i shkrimtarëve të Kosovës filloi një projekt politik, që më pas rezultoi edhe si projekt që u shndërrua në lëvizje. Ishte Rugova ai që tregoi guximin dhe vendosmërinë më të madhe në atë periudhë për të qenë në krye të LDK, ai ishte në pozitën që fjala e tij të kishte më shumë peshë, sepse përfaqësonte elitën intelektuale. Kur nacionalizmi serb arriti kulmin, ishte zgjedhja e vetme për të shpëtuar popullin e Kosovës nga kasaphana. Unë kam qenë dëshmitar i mesazheve konkrete që kemi marrë nga ambasadori amerikan në Jugosllavinë e asaj kohe. Kur ishte gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë dhe ai erdhi për të dhënë mesazhin se çfarë mendonin SHBA-të. Ai na tha se Millosheviçi në atë periudhë ishte në ngritje dhe ishte shumë e vështirë të ndalohej. Ai këshilloi që dhunës të mos i përgjigjeshim me dhunë”, tha Milazim Krasniqi.

“Krijimi i alternativës kosovare, siç u quajt në fillim, gjeti jehonë në shtypin shqiptar. Jo vetëm Rugova, por edhe figura të tjera ishin prezente. Ai pati idenë e madhe të Pavarësisë së Kosovës, që ishte ide e të gjithë shqiptarëve. Njerëzit në këtë pikë ishin të gjithë të bashkuar, por Rugova formoi taktikat më të mira për ta arritur. Ai zgjodhi taktikën e rezistencës pasive, që mund të themi se rezultoi e frytshme, megjithëse në 1998 u deshën edhe mjete të tjera. Unë kam patur rastin ta njoh herët dhe mund të them se deri në takimin e fundit impresioni ka qenë që ishte njeri i pandryshueshëm, ishte po ai Rugovë. Një njeri që kishte një vizion të caktuar, së cilës i kushtoi jetën. Ai reflektonte arritjet e mëdha dhe kontradiktat, por ka hyrë në histori dhe ndoshta është i pari që e ka siguruar një vend në historinë e atyre që bëjnë politikë”, tha Remzi Lani.

“Rugova do të mbahet mend për dy elementë që e determinojnë figurën e tij politike, në kontekstin e dhënë. I pari dimension i veprimit të tij politik është lëvizja paqësore, një gjë e rrallë dhe e papritur në një kontekst ballkanik, aq shumë e kontestuar në spektrin politik shqiptar të asaj kohe. Më tepër se Pavarësia në figurën e Kosovës dhe në artikulimin politik që ai bënte, ishte aftësia e tij për të ngritur çështjen shqiptare nga çështjet nacionaliste në një nivel tjetër, mbi etnik. Dhe me e parë zgjidhjen e çështjes së Kosovës nga ëndrra e moçme e bashkimit. Vizioni i tij i çështjes shqiptare ishte të kishte si finale Europën e bashkuar. Guximi i tij prej qytetari dhe përgjegjësia e tij prej intelektuali për t’i dalë në ballë disa veprimeve e sukseseve politike”, tha Migjen Klemendi.

“Ajo që ka ndodhur me vizionin e Ibrahim Rugovës për të zgjidhur çështjen e Kosovës për mendimin tim është një fenomen, i cili është jashtë shqiptar dhe jashtë ballkanik. Unë nuk jam i prirur të besoj që Ibrahim Rugova e zgjodhi si taktikë rrugën paqësore, me aq sa njoh filozofinë e tij dhe me aq sa e njoh, ai ka qenë ndoshta i vetmi shqiptar që ka besuar tek paqja. Gjysma e tyre që kanë mbështetur Ibrahim Rugovën në rrugën e tij paqësore e kanë mbështetur për arsye politike dhe jo sepse kanë besuar se me paqe mund të zgjidhet ajo punë. Dhe gjysma tjetër nuk e kanë pranuar rrugën paqësore, por e kanë pranuar si fat politik të një lëvizje të caktuar. Dua të jem i sinqertë dhe dua të them se shqiptarët e kanë pranuar rrugën paqësore të Rugovës si taktikë, kurse ai vetë e kishte bindje të brendshme. Ai e kishte paqen si fuqinë e vetme për ta zgjidhur. Ishte një fenomen jo shqiptar. Rrethanat kur u krijua LDK ishin shumë frustruese për shqiptarët, jugosllavët vringëllinin armët, ndërkohë që Kosova nuk kishte çfarë të vringëllinte. Në atë kohë askush nuk mund të merrte përgjegjësinë për të dalë në krye të një partie, ku modeli në të katër anët ishte lufta. Ai e kishte ndarë mendjen se do të udhëhiqte pa bërë luftë dhe kjo mendoj unë e çoi në krye të lëvizjes. Të gjithë e kanë dashur paqen si një lloj shpëtimi, por asnjë se ka pranuar si fuqi, ndërkohë që vetë Rugova e kishte pranuar si fuqi”, tha analisti Mero Baze.

Ndërkohë, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Opinion”, Kryeministri i asaj kohe Sali Berisha tha se Rugova me shpirtin e tij paqësor arriti të evidentohej si përfaqësues i Kosovës. Ai shtoi po ashtu se SHBA u bë mbështetje e madhe për Kosovën, madje sipas tij, Presidenti Bush vendosi linjën e kuqe ndaj Millosheviçit.

“Unë do të shtoj në bisedën tuaj vetëm dy momente të rëndësishme. Së pari nuk duhet të injorohet një moment në vitet 92-94, që kryefjala ka qenë ndarja e Kosovës, që shtrohej si zgjidhja e propozuar nga shumë anë. Shpërbërja e Jugosllavisë i gjeti të papërgatitura vendet e mëdha dhe në këtë kontekst nuk kishte një zgjidhje më të propozuar se sa ndarja, jo vetëm e Kosovës. Qe fat i madh që Kosova kishte votuar për President një njeri që me dashje apo pa dashje, me shpirtin e tij paqësor arriti të evidentohet si përfaqësues i Kosovës. Presidenti Bush, në 92-in vendosi linjën e kuqe ndaj Millosheviçit. Linja e kuqe ishte: “Po preke institucionet e Kosovës dhe Rugovës, Beogradi do të përballet me fuqinë e SHBA-ve”. Për disa vite kjo u respektua nga Millosheviç. Rugova me shpirtin e tij paqësor u bë i pakundërshtueshëm për t’u pritur. Ai nuk ishte i bindur për zgjedhje në mënyrë paqësore, por ajo që ai besonte ishte se populli i Kosovës me mjetet dhe fuqinë e tij nuk ishte në gjendje të çlirohej. Ai kishte parashikuar çlirimin e Kosovës me ndërhyrjen e NATO-s. Ai ishte i dashuruar me Kosovën dhe nuk donte që ajo të shkatërrohej dhe gjithnjë i referohej NATO-s”, tha Berisha.

Rugova nuk ishte thjesht një drejtues partie, apo një lider i zakonshëm politik. Me personalitetin e tij kompleks ku anët pozitive dhe negative ndërthureshin shpesh me veprimet sa brilante aq edhe të pashpjegueshme Rugova krijoi një realitet të ri politik të shqiptarëve në Ballkan. Ai u bë i pari shqiptar që në vend të ëndrrës për bashkim, përpunoi ëndrrën për pavarësi të Kosovës, një realitet jo aq lehtësisht të pranueshëm për të gjithë, por absolutisht të domosdoshëm për mbështetje ndërkombëtare pa të cilën Kosova nuk do të arrinte aty ku është sot. Ai luftoi deri në fund për të bërë identitetin kosovar një realitet./tvklan.al