Protestuesit në Rusi u arrestuan, protesta pati edhe në shumë qytete europiane

Mes borës që ra në shumë qytete ruse dhe me një prani të vazhdueshme policore, qindra qytetarë vendosën lule në kujtim të Alexei Navalny.

Navalny ishte kundërshtari më i zëshëm politik i presidentit Vladimir Putin, ndoshta i vetmi që mund të nxirrte mijëra protestues në rrugë.

Tani edhe pas vdekjes së tij protestuesit zbritën sërish në rrugët e Moskës duke injoruar paralajmërimet e autoriteteve ruse kundër demonstratave.

Qytetarët protestuan në heshtje në memorialin Solovetsky, i vendosur pak më shumë se një kilometër larg Kremlinit, jashtë ndërtesës së shërbimit sekret rus.

Ata që vendosën të protestonin u arrestuan njësoj si edhe kjo grua ruse e cila mban një pankartë ku shkruhet “Alexei Navalny vdiq”.

Protesta ka patur edhe në vende të tjera të botës. Protestuesit u mblodhën jashtë ambasadës ruse në Londër për të vajtuar vdekjen e Navalny.

“Ne duhet të vazhdojmë të luftojmë kundër regjimit rus, ne duhet të vazhdojmë të ngremë zërin tonë këtu ku jemi në liri dhe ku jemi në një hapësirë ​​të sigurt në Mbretërinë e Bashkuar dhe kudo në vendet e tjera evropiane. Pra, po, kjo është ajo që ne patjetër do të vazhdojmë ta bëjmë”.

Edhe në Barcelonë rreth 200 njerëz u mblodhën për të protestuar.Ndërsa në Uashington jashtë ambasadës ruse  protestuesit u mblodhën për të shprehur zemërimin dhe pikëllimin e tyre.

“Navalny na vizatoi këtë pikturë të një Rusie të bukur të së ardhmes. Vizioni në të cilin të gjithë filluam të besojmë dhe për të cilën filluam të luftojmë. Ai luftoi korrupsionin. Luftoi për lirinë e fjalës. Ishte një nga të parët që filloi të fliste me kaq shumë njerëz përmes programeve të tij në YouTube. Bëri kaq shumë. Ai frymëzoi shumë të rinj. Dhe, pikërisht teksa sot jemi  të gjithë në dëshpërim, në zemërim dhe indinjatë, ne nuk mund të dorëzohemi. Ne duhet të luftojmë, të dyfishojmë përpjekjet tona për të arritur vërtet këtë Rusi të bukur të së ardhmes, në të cilën besonte Navalny .”

Demonstruesit të cilët protestuan në vendet evropiane ishin kryesisht rusishtfolës dhe mbanin pankarta me slogane fyese për presidentin rus ose foto të Navalny.

Klan News