Homazhe për vdekjen e ikonës së muzikës shqiptare

Në mjediset e Teatrit Kombëtar në Prishtinës u zhvilluan këtë të shtunë homazhet në nder të ikonës së muzikës shqiptare Nexhmije Pagarusha. Ajo ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare duke humbur betejën me një sëmundje të rëndë.

Banorë të Prishtinës, por edhe nga zona të tjera të Kosovës dhe Shqipërisë, të afërm kolegë, artistë e politikanë i bënë asaj nderimet e fundit. I pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti, i cili e konsideroi atë si një figurë të papërsëritshme në artin e Kosovës.

Homazhe i bëri edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Kolegë të Pagarushës shprehën vlerësimin për “Bilbilin e muzikës shqiptare” që në karrierën e saj rreth 40-vjeçare ka performuar në skena rajonale e botërore.

Homazhet do të vijojnë edhe paraditen e të dielës, përpara se trupi i Nexhmije Pagarushës të përcillet për në banesën e fundit në vendlindjen e saj në Pagarushë të Malishevës. Presidenti Hashim Thaçi e ka shpallur të dielën ditë zie shtetërore.

Tv Klan