Familja e Sonila Canit, 22-vjeçares shqiptare që u gjet e vdekur në rrethana të dyshimta në Torino, ka kontraktuar një avokate në Itali për të ndjekur procedurën ligjore dhe hetimin që po kryhet nga autoritetet italiane për këtë çështje. Avokatja do të përfaqësojë interesat e prindërve të Sonilës, Sose dhe Dashnor Nazo, në këtë proces hetimor.

Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus që ka trajtuar prej fillimit historinë e Sonilës dhe po mundohet të hedhë dritë mbi zbardhjen e së vërtetës, po ndjek në vijimësi hetimet që po kryhen nga autoritetet italiane.

Njëkohësisht, është hapur edhe një llogari bankare në emër të Sose Nazos për këdo që dëshiron të kontribuojë për të ndihmuar familjen me shpenzimet e avokates që do të përfaqësojë interesat e tyre në Torino.

“Duke qenë të pamundur nga ana ekonomike për të udhëtuar drejt Italisë për të ndjekur nga afër çështjen, hetimin për vdekjen e Sonilës, për të mbuluar shpenzimet për avokat në mënyrë ekonomike si prindër të mos ngelet kjo çështje pa zgjidhur deri në fund. Për të takuar gjithashtu edhe Tekon, Tekon e vogël, ju bëj thirrje shqiptarëve që vërtetë janë prekur nga kjo histori dhe duan e kanë mundësi të më ndihmojnë në mbledhjen e një shume financiare që do të lehtësojë shumë ne si prindër të Sonilës të ndjekim këtë çështje deri në fund për të zbardhur të vërtetën e vajzës tonë, do doja me shpirt që vajza të tjera shqiptare që shkojnë për një jetë më të mirë jashtë vendit të mos kenë fatin e Sonilës. Le të shërbejë kjo zbardhje e të vërtetës për vajzën tonë si një mesazh që vajzat e tjera të mos vriten ashtu si na vranë Sonilën tonë. Ju lutem shumë të më ndihmoni, të vënë dorën në zemër”, thotë mes lotësh nëna e Sonilës, Sose Nazo. /tvklan.al