Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka zhvilluar sot një takim me kontigjentin shqiptar që shërben në Herat dhe Kabul, të cilët kanë qenë kolegë me ushtarin që humbi jetën, Xhevahir Jazaj. Peleshi në një postim në mediat sociale shkruan se humbja e jetë së ushtarakut është një ngjarje e rëndë për të gjithë dhe i shpreh ngushëllimet familjes.

“Largimi nga jeta i një ushtaraku, aq me tepër ne mision larg atdheut, është një ngjarje e dhimbshme për të gjithë. I shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së Majorit Xhevahir Jazaj. Para pak çastesh pata një komunikim të drejtpërdrejtë me kontigjentin shqiptar që shërben në Herat dhe Kabul”, shkruan ai. 

Më tej ministri shton se të gjithë ushtarakët janë krenaria e vendit dhe luftojnë krah alaetarëve për të vendosur paqen.

“Ndava me ta ngushëllimet për humbjen e shokut te tyre dhe i sigurova se gjithë shqiptarët janë me mendje e me zemër pranë tyre. Ata janë krenaria jone në raport me aleatet në NATO e partnerët tanë strategjike SHBA dhe BE me të cilët ndajmë sfida të përbashkëta të mbrojtjes kolektive, paqes dhe sigurisë”, shton Niko Peleshi.

Ky reagim i ministrit vjen pas lajmit për vdekjen në rrethana ende të paqarta të ushtarakut Xhevahir Jazaj, i cili ishte me mision në Afganistan./tvklan.al