Një 16-vjeçare shqiptare u gjet e vdekur në rrethana të misterioze në qytetin e Trikallas në Greqi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës së 15 Korrikut. Trupi i pajetë i adoleshentes u konstatua i shtrirë në oborrin përpara një kishe në periferi të qytetit. 16-vjeçarja shqiptare e identifikuar si Maria Hyseni, kishte hematoma të shumta në trup.

Dyshimet e para të policisë kanë qenë se adoleshentja mund të kishte kryer vetëvrasje duke u hedhur nga lartësia. Por familja e Marias, që jeton prej vitesh në Trikalla, ka mohuar që vajza e tyre të ketë ndërmarrë aktin ekstrem. Nga ekspertiza mjeko-ligjore u mësua zyrtarisht se adoleshentja shqiptare humbi jetën si pasojë e rrëzimit nga lartësia për shkak goditjeve të rënda që kishte pësuar në kokë dhe në trup.

Për emisionin “Uniko” në Klan Plus ka folur gjyshja e Marias, 74-vjeçarja Dodona Hyseni. Nga Korça ku ajo banon, ka rrëfyer si e mësoi lajmin e kobshëm që mbesa e saj nuk jeton më.

“Ishte ora 08:00 – 09:00. Përcollëm djalin tjetër, ai e mori vesh pastaj. Më tregonin e sëmurë është çupa, e kanë çuar në spital. Kurse djali tjetër tha mbaroi, ka vdekur. Të dy djemtë u bënë ç’të të them. Në këtej prisnim si ishte ngjarja”.

Njësoj si dhe prindërit e Marias, 74-vjeçarja është e bindur që mbesa e saj nuk është vetëvrarë. Familjarët dhe të afërmit dyshojnë se 16-vjeçarja është vrarë. Gjyshja e Marias thotë se mbesa e saj shkonte në shkollë dhe nuk kishte shfaqur asnjë problem që mund ta çonte adoleshente drejt aktit ekstrem.

“Jo e kanë vrarë. Ajo është e vrarë, nuk është vetëvrasje. Atë e kanë vrarë, e kanë hedhur që nga kisha. Se nuk u hodh vetë çupa që andej. Këta kanë qenë tre, kështu na thanë… Prindërit e Marias duan të drejtën e tyre si ka ndodhur. Çupa që ngritur që në orën 03:00 që kishte ikur. E çoi ai dhe kishte ikur kjo. Ata dyshojnë që është vrasje kjo, e hedhur nga kisha. Çupën e kanë hedhur. Erdhi policia e shpuri çupën në morg. Djali kur vajti e gjeti çupën në spital. Të më gjendet e drejta e çupës. Nuk dua gjë… Vetëm çupën të më thoni si ka ngjarë. Se nuk u hodh çupa vetë që andej, këtë e hodhën. E hodhën nga kisha. Vajzat kanë bërë shkollë, kanë mbaruar shkollën”.

Dodona Hyseni kërkon fajtorin dhe shkakun e vdekjes së mbesës së saj. E vetmja gjë që ajo kërkon është drejtësi, të zbardhet e vërteta për këtë ngjarje të rëndë. Nga ana tjetër, gjyshja e Marias kujton mes lotësh kohën kur kishte rritur mbesën që të vogël, dhe vajton largimin e parakohshëm nga jeta të 16-vjeçares.

“E desha shumë. E rrita… S’kam çfarë të bëj. Të ikë tërë ajo çupë. Nëna më thoshin, rrija, i ushqeja, i mbaja.. Dua të jepet drejtësia për mbesën ime”.

Kohët e fundit, 16-vjeçarja shqiptare shoqërohej me një polic 27-vjeçar. Ky person është marrë në pyetje nga kolegët e tij grekë dhe ka pranuar njohjen me Maria Hysenin. Madje, disa orë përpara ngjarjes së rëndë, polici 27-vjeçar ka thënë se ishte takuar me vajzën shqiptare dhe më pas e kishte dorëzuar në shtëpi.

E paqartë deri më tani mbetet arsyeja përse Maria kishte shkuar në kishën “Profet Ilia” në orët e vona të natës, dhe nëse kishte qenë e shoqëruar me persona të tjerë. Trupi i pajetë i shqiptares Maria Hyseni u përcoll për në banesën e fundit më 17 Korrik në varrezat e qytetit të Trikallas.   /klanplus