Mediat ndërkombëtare kanë nxjerrë në dritë një shkrim të papublikuar që Papa Françesku e kishte bërë para se të ndërronte jetë. Në parathënien e librit që do të publikohet së shpejti nga Kardinali Angelo Scola, Papa shkruante: “Vdekja nuk është fundi, por fillimi i diçkaje”.
“Është një fillim i ri, siç sugjeron me mençuri titulli [i librit, “Duke pritur për një fillim të ri. Reflektim në pleqëri”] sepse jeta e përjetshme është të fillojë diçka që nuk do të përfundojë kurrë. Dhe është kjo arsye pse është një fillim i “ri”, sepse ne do të përjetojmë diçka që nuk e kemi përjetuar plotësisht: përjetësinë”, shprehej Papa.
Kujtojmë se në testamentin e tij, Papa ka shprehur dëshirën që të mos varroset në Bazilikën e Shën Pjetrit, por në një tjetër bazilikë, atë të Shën Marisë në Romë.
“Dua që udhëtimi im i fundit në tokë të përfundojë në këtë shënjtore të lashtë, ku do ndaloja gjithmonë për t’u lutur në fillim dhe në fund të çdo udhëtimi apostolik”, ka thënë Papa.
Po ashtu, ai ka kërkuar që varrimi të jetë i thjeshtë, pa zbukurime dhe vetëm me mbishkrimin “Françesku”. Sa i përket kostos së varrimit, Papa i ndjerë është shprehur në testament se do të mbulohet nga një bamirës, të cilin ai e ka rregulluar që të transferohej në Bazilikën Papale të Shën Marisë.
Ndërkohë Vatikani ditën e sotme ka zbuluar pamjet e Papa Françeskut të ndjerë, në arkivol të hapur, ashtu siç ka qenë kërkesa e tij./tvklan.al


