Aktorja britanike Mya-Lecia Naylor, ylli fëmijë i BBC, ka vdekur më 7 Prill në moshën 16-vjeçare, raporton “The Guardian”. Shkaku i vdekjes nuk dihet ende. Aktorja e re njihet për rolet e saj në seritë e CBBC “Almost Never”, “Millie Inbetween”, “Absolutely Fabulous”, dhe ka performuar kohët e fundit në kuadër të bendit “Angels n’ Bandits”.

“Ajo ishte pjesë e familjes së fëmijëve të BBC dhe aktore, këngëtare dhe valltare shumë e talentuar”, – thuhet në njoftimin e CBBC. Alecia Webb, drejtoresha e BBC për fëmijë, tha se lajmi i vdekjes së aktores së re i ka pikëlluar dhe shqetësuar kolegët e saj.

“Ajo shkëlqeu shumë në ekranet tona… dhe është e paimagjinueshme që nuk do të jetë pjesë e udhëtimit tonë tutje”, – tha Alecia. “Ajo ishte jashtëzakonisht e popullarizuar në mesin e publikut tonë, një aktore, valltare dhe këngëtare shumë e talentuar dhe një shembull i vërtetë për fansat e saj të rinj”, – shtoi ajo.

Mya-Lecia u shfaq fillimisht në ekrane si fëmijë në “Absolutely Fabulous”, ajo luajti vajzën e Saffyt, Jane. Kishte një rol filmik në “Cloud Atlas”, filmin e vitit 2012, së bashku me Halle Berry (52) dhe Tom Hanks (62), shkruan Koha Ditore.

Në rrjetet sociale me aktoren e re po përshëndeten anëtarët e familjes dhe kolegët. “Ajo ishte një gëzim i vërtetë në setin e serisë ‘Absolutely Fabulous’. Ua dërgoj gjithë dashurinë time anëtarëve të familjes dhe miqve. Prehu në paqe vajzë e bukur”, – shkroi kolegia e saj nga seria ‘Absolutely Fabulous’, Emily Atack. /KlanPlus/