4 viktima nga Covid, ndërron jetë vajza 21-vjeç



4 viktima nga Covid, ndërron jetë vajza 21-vjeç

11:13 15/07/2020

E reja vuante nga Sindroma Metabolike

101 është totali i viktimave të regjistruara nga koronavirusi në vendin tonë. Vetëm në 24 orët e fundit, 4 pacientë nuk e kanë fituar betejën me Covid-19 dhe kanë ndërruar jetë. Viktima me moshën më të re është një 21-vjeçare.

“Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një vajzë e re 21 vjeçare, e cila ndodhej në terapi intensive e intubuar, si pasojë e simptomave të rënda të Covid19. Gjendja e saj u rendua në mënyrë të menjëhershme si pasojë e tromboembolisë fulminante dhe pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, e reja që vuante nga sindromi metabolik, nuk ka arritur të mbijetojë”.

Mjekët infeksionistë japin alarmin se situata në shërbimin infektiv po rëndohet çdo ditë me raste të reja dhe fatalitete.

Aktualisht janë të shtruar 88 pacientë në spital, 12 pacientë janë në terapi intensive dhe 4 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 361 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19, nga të cilat janë konfirmuar 85 raste pozitive”.

Epidemiologët vijojnë gjurmimin e rasteve të infektuar në terren dhe vetëm në 24 orë janë identifikuar 85 raste me koronavirus.

“44 raste në Tiranë, nga 6 raste në Shkodër, Krujë, Vlorë, 5 në Tropojë, 3 në Elbasan, nga 2 raste në Durrës, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Kolonjë, nga 1 rast në Has, Berat, Kamëz, Pogradec, Ura Vajgurore”.

Që prej nisjes së epidemisë janë infektuar 3752 persona, prej të cilëve 1560 janë ende aktiv me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë dhe Durrës.

Tv Klan




Të ngjashme