44-vjeçarja britanike Dawn Sturgess nuk i ka mbijetuar helmimit me substancën Novichok. Prej më shumë se një jave ajo ndodhej e shtruar në spitalin e Sallsbërit, së bashku me të dashurin Charlie Rowley, 45-vjeç, i cili është në gjendje të rëndë.

Policia i gjeti pa ndjenja më 30 Qershor, në një banesë në Amesbury, 16 km në veri të Salisbury. Një ditë më parë, çifti kishte vizituar disa prej vendeve ku dyshohet se u helmuan ish-agjenti rus Sergei Skripal dhe vajza e tij Julia në fillim të Marsit.

Ekzistojnë dy mundësi prej nga ata kanë rënë në kontakt me helmin. Mund të kenë gjetur shiringën që dyshohet se u përdor nga agjentët rusë për të helmuar ish-kolegun e tyre Skripal, me të cilën kanë injektuar lëndë narkotike. Po ashtu mund të kenë kaluar në duar një kuti duhani të Skripalëve të helmuar me Novichok. Policia e kishte skeduar çiftin si të alkoolizuar dhe përdorues droge.

Sekretari i brendshëm britanik Sajid Javid urdhëroi nisjen e një hetimi penal për vrasje, pas vdekjes së 44-vjeçares. Ndërsa kryeministrja britanike Theresa May e cilësoi “të tmerrshëm” këtë rast. Akuzat mes Londrës dhe Moskës arritën kulmin me akuzat se ishin shërbimet sekrete ruse ato që përdorën Novichok-un për të helmuar ish-agjentin Skripal.

Tv Klan