Emiri i Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Sabah, ka vdekur në moshën 91 vjeç, njoftoi gjykata mbretërore më 29 shtator.

“Me trishtim dhe pikëllim të madh, ne vajtojmë vdekjen e Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Sabah, Emiri i Shtetit të Kuvajtit”, tha Ali Jarrah Al-Sabah, ministri i ngarkuar me punët mbretërore, në një transmetim televiziv.

Spekulimet rreth shëndetit të emirit kanë vazhduar për muaj të tërë, pasi ai u shtrua në spital disa herë që nga viti i kaluar.

Sheikh Sabah kishte drejtuar vendin prodhues të naftës dhe aleatin e Shteteve të Bashkuara, që nga viti 2006. Ai ka drejtuar politikën e tij të jashtme për më shumë se 50 vjet. Pasardhësi i tij i caktuar është vëllai i tij, Princi i Kurorës Sheikh Nawaf al-Ahmad al-Sabah.

Kriza më e madhe në Kuvajt ndodhi më 1990, kur diktatori irakian, Saddam Hussein e pushtoi atë për shtatë muaj. Në shkurt të vitit 1991, trupat amerikane dhe aleatët e tyre ndërhyn në Kuvajt, duke mundur shpejt ushtrinë irakiane dhe duke çliruar vendin.

Edhe para se ushtria amerikane të hynte në Kuvajt, Sheikh Sabah dhe të tjerët filluan të kërkojnë një prani të përhershme amerikane në rajon, për të cilën ata thonin se mund t’u siguronte mbrojtje nga Iraku dhe të tjerët.

Sot, në Kuvajt janë rreth 13.500 trupa amerikane./REL