Ish-Senatori republikan, Bob Dole, një hero i Luftës së Dytë Botërore, vdiq të dielën në moshën 98-vjeçare.

Gruaja e tij, Elizabeth Dole, e postoi njoftimin të dielën në Twitter, duke theksuar se ai vdiq në gjumë.

“Ai i ka shërbyer Amerikës për 79 vjet me radhë”, shkroi ajo.

Në muajin Shkurt të këtij viti, ish-senatori Dole, bëri të ditur se ishte diagnostikuar me kancer në mushkëri.

Gjatë karrierës së tij 36-vjeçare në Capitol Hill, ish-senatori republikan, Bob Dole u bë një nga ligjvënësit dhe udhëheqësit më me ndikim në Senat.

Robert Joseph Dole, lindi më 22 Korrik të vitit 1923 dhe ishte një nga katër fëmijët e familjes Dole në Russell të Kanzasit.

Si toger i ushtrisë amerikane në Luftën e Dytë Botërore, ai udhëhoqi një sulm në një fole mitralozash gjermanë në Itali. Një predhë i shkatërroi shpatullën e djathtë, i paralizoi krahun, i dëmtoi kurrizin dhe i kushtoi një veshkë. I dekoruar për heroizëm, Bob Dole kaloi 39 muaj në spitale para se të kthehej në jetën civile.

Ai u përpoq tre herë të bëhej President. E fundit ishte në vitin 1996, kur ai ishte kandidat republikan dhe humbi në garë me ish-Presidentin Bill Clinton. Ai kërkoi nominimin presidencial të partisë së tij në vitin 1980 dhe në vitin 1988, ndërsa ishte kandidat për zëvendëspresident në vitin 1976 bashkë me ish-Presidentin Gerald Ford. /VOA