Ka ndërruar jetë në një spital në Kinë mjeku që u përpoq të paralajmëronte përhapjen e koronavirusit. Vdekja e tij ka shkaktuar zemërim në mesin e qytetarëve. Mjeku Wenliang u infektua nga virusi i rrezikshëm teksa po trajtonte pacientët në Wuhan, qyteti që besohet se është epiqendra e koronavirusit.

Gjatë muajit Dhjetor 2019, ai u dërgoi mesazh kolegëve të tij mjekë duke i vënë në dijeni për një virus të rrezikshëm, që mendonte se ishte Sarsi.

Por regjimi komunist i Kinës e hetoi për përhapje të panikut dhe u detyrua nga policia që të mos bëjë më komente false. Paralajmërimet e tij nuk u morën seriozisht nga autoritetet kineze, madje edhe gjatë orëve të fundit të jetës së tij i shtruar në spital, ai mbahej nën mbikëqyrje policore.

Lajmet për vdekjen e mjekut Wenliang u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale në Kinë, siç është Weibo, ku ka shpërthyer një valë e gjerë zemërimi ndaj shtetit që nuk mori seriozisht paralajmërimet e tij për rrezikshmërinë e koronavirusit. Në rrjetet sociale pati akuza ndaj qeverisë që bëri përpjekje për të mos i dhënë rëndësinë e duhur këtij virusi të rrezikshëm, që fillimisht u përpoq ta mbante sekret.

Pas vdekjes së tij, zyra e antikorrupsionit në Kinë ka thënë se do të nisë një hetim për këtë çështje.

Koronavirusi ka shkaktuar 636 të vdekur deri më tani dhe mijëra të tjerë të infektuar. /tvklan.al