Tragjedi në futbollin shqiptar. Sulmuesi i Egnatia Raphael Dwamena humbi jetën pasi pësoi një atak në zemër në mesin e pjesës së parë të ndeshjes së ekipit të tij kundër Partizanit.

Ai ka rënë pa ndjenja në fushën e lojës teksa për t’i dhënë ndihmën e parë kanë shkuar shokët e skuadrës si dhe stafet mjekësore të të dy klubeve, por edhe nga mjekët e pranishëm në ambulancën që ndodhej në stadium.

28-vjeçari nga Gana është transportuar menjëherë në Spitalin e Kavajës por mesa duket zemra e tij nuk e ka përballuar goditjen e marrë gjatë ndeshjes.

Mjekët e këtij spitali treguan se futbollisti kishte mbërritur pa shenja jete

Nuk kishte aktivitet kardiak. Ka ardhur rreth orës 14:10. E dinim që do na vinte rasti, e ngritëm gjithë personelin në këmbë, me kardiologë e me të gjitha. U bë reanimimi kardiopulmonar dhe nuk u arrit. Nuk kishte më shpresa, ishte i pashpresë. Ne këtu i kemi bërë të gjitha, reanimim, frymëmarrjen, masazh kardiak sipas protokollit, respektuam protokollin mjekësor që bëhet në këto raste”.

Tronditje mjaft e madhe për të gjithë futbollistët e Egnatias që ishin në hyrje të këtij spitali kur mësuan se shoku i tyre i skuadrës nuk mundi të rikthehej në jetë.

Trupi i futbollistit është dërguar pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë për një ekpsertizë të detajuar mbi shkaqet e vdekjes.

Raportohet se Dwamena vuante nga problemet në zemër prej disa vitesh. Ai madje i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje për të vendosur një defibrilator, pajisje që do t’i mundësonte rregullimin e rrahjeve të zemrës.

Një rast i ngjashëm ka ndodhur dy vite më parë me lojtarin e Laçit Kyrian Nëabueze, por ai shpëtoi pasi defibrilatori që kishte të vendosur arriti t’i rikthente funksionet zemrës së tij.

Raphael Dwamena ishte shënuesi më i mirë i këtij sezoni me 9 gola në 12 javë.

Tv Klan