Ndërroi jetë në moshën 90-vjeçare ish-presidenti i Kubës Fidel Kastro, një prej udhëheqësve më jetëgjatë në pushtet. Lajmin e hidhur për popullin kubanez e dha vëllai i tij Raul Kastro, njëherësh pasuesi në fronin e presidentit në një deklaratë për shtyp në televizioni shtetëror mbrëmjen e së premtes.

Ish-udhëheqësi kubanez ndërroi jetë rreth orës 22:30 të së premtes. Trupi i tij do të digjet këtë të shtunë, sipas traditës. Kuba shpalli zinë kombëtare për humbjen e Komandantit të Revolucionit, deri më datë 4 dhjetor kur do të zhvillohet ceremonia e lamtumirës në qytetin Santiago.

Media vendase tregoi njerëz në rrugët e Havanës që shprehen të tronditur nga ikja e Kastros ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të shumtë ishin ata që festonin.

Reagimet për vdekjen e ish-presidentit kubanez erdhën nga liderë të ndryshëm botërorë. Presidenti rus Vladimir Putin e cilësoi Kastron një mik të Rusisë dhe simbol të një epoke. Ndërsa presidenti i SHBA-ve, Barak Obama tha përmes një mesazhi se “Historia do të gjykojë impaktin e madh të kësaj figure mbi njerëzit dhe botën rreth tij”. Për largimin nga jeta të Kastros reaguan edhe Papa Françesku, presidenti francez Holond, kryeministri spanjoll Rahoi e ministri i jashtë britanik Xhonson./ TV KLAN