Edmond Leka nga Librazhdi i është drejtuar emisionit “Stop” për një pronë të familjes së tij në Qukës. Por pretenduesi i pronës Shefqet Leka, bashkë me 3 trashëgimtarët e tij, ia shiti këtë pronë Sefer Malos. Njëri nga personat që ka firmosur për këtë shitje është Sami Leka, i cili ka ndërruar jetë në vitin 1994, por rezulton të ketë firmosur në vitin 2000.

Aktet janë bërë nga noteri Enver Balla. Për çështjen në fjalë, denoncuesi Edmond Leka i është drejtuar edhe gjykatës, por nuk po gjen zgjidhje.

Në zyrën e Gjendjes Civile vërtetojnë se Sami Leka nuk jeton më. Ndërsa noteri Enver Balla shprehet se edhe ai vetë është mashtruar për këtë rast nga Shefqet Leka.

“I jam drejtuar emisionit Stop për një pronë të familjes Leka, e cila ndodhet në fshatin Qukës, Librazhd. Me dokumente të plota e zotëron Agim Sali Leka, por faktikisht në vitin 2000 është bërë një kontratë shit-blerje nga Shefqet Leka, Sami Leka, Tomorr Leka, të cilën ia kanë shitur doktor Sefer Malos, tek noteri Enver Balla “,

thotë denoncuesi Edmond Leka.

“Sami Leka është ngritur nga varri dhe ka firmosur kontratën e shitjes së pronës time. Këto gjëra ndodhin vetëm në Librazhd, ky është vendi i mrekullive, që rilindi njerëz”,

ironizon denoncuesi, i cili shpjegon se 

“Sami Leka ka vdekur në 94-n, por zyrat vendore të Bashkisë Librazhd e kanë rilindur edhe njëherë, për të bërë kontratën e shit-blerjes të doktor Sefer Malos”.

Denoncuesi tregon se çështjen në fjalë e ka çuar në Gjykatën e Elbasanit, i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, por thotë se deri më tani e kanë sorollatur.

“Prandaj i jap drejtuar emisionit Stop, për falsifikimin që është bërë mbi pronën time dhe që Gjykata e Elbasanit të vihet të lëvizje, sepse njëherë nuk paraqitet njëri, njëherë nuk paraqitet tjetri”,

shton denoncuesi.

Gazetarja e Stop shkoi në Gjendjen Civile të Librazhdit ku i konfirmuar se në regjistrin e vdekjes, Sami Leka rezulton i vdekur në 1994-n.

Por si ka arritur të firmosë i ndjeri në vitin 2000 përpara noterit Enver Balla?

Ky i fundit, në një bisedë me gazetaren e Stop thotë se edhe ai është mashtruar nga Shefqet Leka.

Noteri Enver Balla-

Është mashtrim! Ka mashtruar ai Shefqet Leka, ky është bërë problem në Prokurori, Gjykatë, vetë unë e kam denoncuar atë problem. Ka mashtruar ai! Është mashtrues, është mashtrues, puro mashtrues.

Gazetarja-

Po më thoni që ju si noter, nuk keni qenë në dijeni që Sami Leka ka ndërruar jetë, ju ka paraqitur një person tjetër?

Noteri Enver Balla-

Ka paraqitur person tjetër, shefe. Ka mashtruar ai!

Në fund Saimir Kodra kishte një pyetje të rëndësishme…

“Që nga 2000-shi, jemi në 2019-ën… Vetë noteri na paska bërë denoncim, që paska ardhur dikush tjetër që e ka mashtruar në vend të të ndjerit Sami Leka. Ok, kontrata e shit-blerjes është bërë anapolla nga noteri, po si ka mundësi kur vetë noteri e ka denoncuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe ka 19 vjet që zvarritet e gjithë procedura… pra e gjitha kuptohet qartë dhe pastër, që dhe nga vetë noteri dhe nga certifikata e vdekjes dhe kontrata e shit-blerje, si ka mundësi 19 vjet Gjykata e Elbasanit nuk e zhbëri dot këtë akt shit-blerje, ky është problemi”./tvklan.al