Një 50 – vjeçar u gjet i vrarë në një dhomë të godinës numër 8 të Institutit Bujqësor, ku ai jetonte prej kohësh.

Viktima është identifikuar si Arben Kanina.

Policia tha se vrasja është kryer mbrëmjen e shkuar. Mjekët ligjorë kanë konstatuar shenja dhune në trupin e tij, nga të cilat i ka ardhur edhe vdekja.

Në pak orë policia ka mundur të zbardhë ngjarjen dhe të arrestojë autorin. Ai është Artan Marku, 46 – vjeç.

Viktima dhe autori, një natë më parë, pasi kanë konsumuar alkool për orë të tëra, në një lokal brenda Institutit Bujqësor janë konfliktuar me njëri – tjetrin.

Marku ka pranuar se e ka dhunuar me grushta dhe shkelma brenda dhomës së tij 50 – vjeçarin e divorcuar, familja e të cilit jetonte në Itali.

Një shkelm në fyt duket se i ka marrë jetën. Kur e ka parë se nuk merrte më frymë, vrasësi është larguar në drejtim të qendres së Tiranës, në rrugën e “Barrikadave”, ku dhe është arrestuar. Viktima dhe autori, sipas policisë, jetonin si endacakë.

Tv Klan