Vendoset hapja e kopshteve dhe çerdheve në 1 Qershor

E marta ka 4-fishuar rastet e reja me koronavirus krahasuar me një ditë më parë. Për herë të parë që prej nisjes së pandemisë nga 25 të infektuar 24 raste pozitive janë identifikuar në Tiranë, duke e bërë kështu epiqendrën e virusit në vend.

Mirela Cami: “Janë 24 të prekur në Tiranë dhe 1 në Durrës. Ndër rastet e reja janë 15 të prekur në një call-center, kontakte të një rasti pozitiv të identifikuar dy ditë më parë”.

Silva Bino:Transmetueshmëria vazhdon të mbetet e lartë pavarësisht se nuk kemi qarkullim të dendur po Tirana vazhdon të jetë një zonë që jo vetëm ka raste por dhe transmetim në komunitete të ndryshme prandaj duhet të jemi të kujdesshëm”.

Veç rasteve të shtuara, koronavirusi ka regjistruar edhe një tjetër viktimë.

“Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve një pacient 69-vjeçar nga Tirana, me inicialet S.K., i cili po trajtohej në terapi intensive në spitalin infektiv”.

Dy pacientë të prekur nga Covid-19 kanë patur nevojë për ndihmë të specializuar mjekësore dhe janë shtruar në spitalin covid, ku në total po trajtohen 17 persona, 3 prej të cilëve janë në terapi intensive.

“Duhet të jemi realistë që ka persona të shtruar në spitalin infektiv që janë në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe duke patur parasysh që kemi patur dy vdekje brenda pak ditësh tregon për vazhdimin e gravitetit të sëmundjes, pa çka se shifra është nën 20. Por kjo shifër mund të zvogëlohet ose të shtohet në ditët në vijim”.

Komiteti Teknik i Ekspertëve  ka vendosur në mbledhjen e të martës hapjen e kopshteve dhe çerdheve më 1 Qershor. Faza e dytë e rihapjes do të vijojë edhe me sezonin turistik, me protokolle sigurie në funksion të mbrojtjes dhe vetëmbrojtjes së qytetarëve, për të kufizuar përhapjen e COVID-19.

Tv Klan